KOSOVË- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shprehu kritika ndaj Ministrisë së Financave, të cilën e akuzoi se po bllokon fondet e të ardhurave vetjake të komunës. Kjo problematikë u diskua sot në emisionin “Ballkan Update” në ABC News.
Gazetari Visar Duriqi, tha se nuk është vetëm Prishtina, por edhe komunat e tjera e kanë këtë problematikë. Ai tha se qeveritë e kaluara nuk i kanë marrë paratë Prishtinës, pavarësisht se kjo e fundit drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk e ka vetëm Prishtina, por e kanë të gjitha komunat këtë ngërç. Ka filluar me atë, që komunave iu është marrë sufiçiti, paratë që nuk kanë mundur t’i harxhojnë. Fenomeni i suficitit ka ndodh vazhdimisht në Kosovë, ka qenë goxha i shprehur në ta kaluarën në qeverisjen e vetëvendosjes në Prishtinë, por qeveritë e kaluara nuk kanë insistuar që t’i marrin paratë Prishtinës kur ka qenë edhe Vetëvendosje në pushtet. Kjo qeveria ka vendosur ti marrë suficitet e komunave të tjera, ka rritur tatimin në pronë”, tha ai.
Gazetari kritikoi ministrin e Financave të Kosovës, Hekuran Muratin, të cilin e cilësoi si personin më të paaftë që ka pasur ndonjëherë Kosova në fushën e financave dhe ekonomisë.
“Është tendencë e vazhdueshme e ministrit të rrisë statistikat. Ministri i Financave së Kosovës është një prej njerëzve më të paditur në fushën e financave, që ka pasur Kosova si ministër Financash. Nëse bëhen tri kolona të exel, më shumë se dy kolona nuk arrin ti kuptojë. Ai rritjes së buxhetit i thotë rrije ekonomike. Pra, është diçka, që në fakulteti, në vit të parë do të kishin ngelur në provim”, tha ai.