Blinken në Tiranë/ Ish ambasadori Gjoka: Do të përcjellë mesazhe të rëndësishme. Përzgjedhja e Shqipërisë, jo rastësore

schedule13:20 - 15 Shkurt, 2024

schedule 13:20 - 15 Shkurt, 2024

Ish ambasadori i Shqipërisë në Moskë, Sokol Gjoka thotë se vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Gjoka u shpreh se Blinken do të përcjellë mesazhe të rëndësishme, për çështje të sigurisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Sipas tij, përzgjedhja e Blinken për të vizituar Shqipërinë, nuk ishte rastësore.

“Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme, për Shqipërinë, do thoja edhe për rajonin. Gjatë kësaj vizite, do të përcjellë mesazhe të rëndësishme për çështje të sigurisë, demokracisë, sundimit të ligjit. SHBA me Shqipërinë ka marrëdhënie të një partneriteti strategjik. Shtyllat kryesore janë ato të forcimit të bashkëpunimit politik, janë çështjet e sigurisë, forcimi i institucioneve demokratike, lufta kundër terrorizmit, bashkëpunimi në fusha të tjera. Për të pasur marrëdhënie të karakterit strategjik, kërkon kontakte të vazhdueshme në mënyrë që koherenca për zhvillimet ndërkombëtare dhe të brendshme të jenë të koordinuara mirë.

Blinken do të përcjellë mesazhe pozitive për Shqipërinë. Kjo u duk së fundi me mbylljen e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, por edhe me mandatin që ka Shqipëria në Këshillin e të Drejtave të Neriut. Të gjitha këto, përshëndetja e politikës amerikane për rolin aktiv të Shqipërisë, për bashkëpunimin me SHBA për vendosjen e muxhahedinëve, afganëve, luan një rol të rëndësishëm.

“Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit në Shqipëri, nuk është rastësore. Kjo përzgjedhje bëhet në disa kritere. Përcakohet mjaft mirë. Kjo ka të bëjë me marrëdhëniet tona, me stabilitetin e Shqipërisë, kontributin që jep në zhvillimet ndërkombëtare, si vend anëtar i NATO-s. Ajo që ka më shumë rëndësi, ka roli që luan Shqipëria në rajon. Në këto kushte, Shqipëria përzgjidhet për rolin e një vendi stabël, të përfshirë në reforma, sidomos ajo e drejtësisë, në kaudër të një procesi të konsoliduar. Nga ana tjetër, është rruga e integrimit evropian. Edhe si një pikë reference për elementin shqiptar që ndodhet në rajonin e Ballkanit, por dhe më gjerë”, theksoi ai./abcnews.al