Blerjet për Vitin e Ri, tregtarët ankohen për shitjet, banorët e rretheve: S’kemi lekë

schedule17:19 - 30 Dhjetor, 2019

schedule 17:19 - 30 Dhjetor, 2019

Banorët e rretheve kryesore të vendit në natën e ndërrimit të viteve do të kenë mungesa në tryezat e tyre. Edhe pse çmimet nuk kanë pësuar rritje të ndjeshme, konsumatorët pohojnë se nuk kanë para të mjaftueshme. Ndërsa tregëtarët thonë se mungesa e shitjes lidhet me rritjen e varfërisë, por dhe me largimin e popullsisë.

Thuajse në të gjitha rrethet e vendit tregjet nuk po frekuentohen nga konsumatorët si fundvitet e mëparëshme. Edhe pse çmimet nuk kanë pësuar ndonjë rritje të madhe vetë tregëtarët por dhe konsumatorët thonë se varfëria është rritur. Por dhe largimi i shqiptarëve nga vendi është një tjetër faktor që ka ndikuar në uljen e konsumimit.

Në Fier qytetarët theksojnë se tryezat e ndërrimit të viteve nuk do të jenë plot.

“Nuk po na japin lekë ne invalidëve”, thotë një prej qytetarëve.

Edhe tregtarët flasin për rënie të shitjeve.

Në Korçë konsumatorët sqarojnë se nuk mund të blejnë dot gjithçka kanë dëshirë, kurse tregtarët ankohen si kurrë më parë.

“Si ditë e zakonshme, nuk ka lëvizje”, shprehen tregtarët.

Gjithashtu edhe sipas tregtarëve shkodranë këtë fundvit nuk ka rritje të shitjeve të produktëve.

Ndërkaq një zonjë nga Mali i Zi ka zgjedhur të bëjë pazarin e Vitit të Vi në Shkodër për shkak se sipas saj janë më organike.

 “Po blejmë diçka edhe për Vitin e Ri. Diferenca e çmimeve nuk është e madhe me Podgoricën, por këtu janë më organike”, shprehet ajo.

Ndërkohë që dhe në Gjirokastër qytetarët do të kalojnë Vitin e Ri me tryeza të vakëta.

“Më keq këtë vit, nuk blejmë dot asgjë”, thonë qytetarët.

Ndërsa tregtarët pohojnë se nuk ka ndryshim çmimesh, por rritje të varfërisë.

“Çmime kanë qenë njësoj nuk kanë ndryshuar”, shprehen ata.

Edhe në Prrenjas banorët do të shpenzojnë pak para për festë. Përjashtim bëjnë vetëm emigrantët që janë kthyer në Shqipëri.

Të gjitha këto përshtypje të një pjesë të banorëve dhe tregëtarëve të disa rretheve kryesore tregojnë se këtë fundvit qytetarët janë më të varfër se më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!