Bledi Çuçi i delegon kompetencat e ministrit të Brendshëm Besfort Lamallarit

schedule11:16 - 30 Mars, 2021

schedule 11:16 - 30 Mars, 2021

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ka deleguar kompetencat e këtij posti, zv/ ministrit Besfort Lamallarit për një periudhë kohore nga data 25 Mars deri më 30 Prill të këtij viti. Urdhri i ministrit Çuçi është botuar në fletoren zyrtare sipas të cilit, këto kompetenca do të ushtrohen vetëm në këtë periudhë kohore, dhe do të ndërpriten vetëm në rast kur ato do të rimerren nga titullari i institucionit.

Ky hap i Çuçit një muaj para zgjedhjeve, duket se vjen për shkak të angazhimit të tij për zgjedhjet e 25 Prillit. Çuçi është drejtues politik i Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës dhe kandidat për deputet po në këtë qark, i treti në listë pas Mirela Kombaros dhe Laert Durajt.

Nuk dihet nëse në përfundim të afatit deri në 30 Prill, Çuçi do të rikthehet sërish në postin e tij. Pritet që në varësi të rezultatit të procesit zgjedhor pritet të merret edhe vendimin për fatin e këtij dikasteri.

Bledi Çuçi ka vetëm pak muaj në postin e ministrit të Brendshëm, që prej dhjetorit të vitit të kaluar. Ai erdhi në këtë post pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt për shkak të protestave masive në vend, si pasojë e vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj. Më herët ai ka mbajtur postin e ministrit të Bujqësisë, ku me ndryshimet e reja u zëvendësua nga Milva Ekonomi./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!