SPAK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas informacioneve paraprake, janë lëshuar gjithsej 20 masa sigurie, nga të cilat 15 me masën “arrest në burg” dhe 5 me masën “arrest në shtëpi”.
Deri më tani është ekzekutuar masa e sigurisë ndaj Orest Sotës, ndërsa disa nga personat e përfshirë rezultojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Burime nga hetimi bëjnë me dije se objekt i operacionit është një grup kriminal që operonte kryesisht në zonën e Kamzës dhe që dyshohet se drejtohej nga vëllezërit Artur dhe Luçiano Koçeku.
Në mesin e personave për të cilët janë caktuar masa sigurie janë edhe biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi, të dyshuar për pastrim të parave që burojnë nga aktiviteti kriminal i trafikimit të drogës. Të dy ndodhen jashtë vendit dhe janë shpallur në kërkim.
Në kërkim është shpallur edhe Orges Birçaj, ndërsa masa sigurie janë caktuar edhe për Edmond Jaupin. Sipas burimeve, 9 nga personat e proceduar ndodhen jashtë Shqipërisë.
Hetimi është mbështetur në komunikime të siguruara nga aplikacioni i enkriptuar Sky ECC, nga ku janë dokumentuar disa episode të trafikut të kokainës.
Burimet bëjnë me dije se procedimi mund të ketë lidhje edhe me hetimet për dosjen e Zvërnecit, e cila po ndiqet nga prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle edhe në zonën e Kamzës, përfshirë ambiente të lidhura me Artur Koçekun.
Ky i fundit është një emër i njohur për autoritetet, pasi është përmendur edhe në ngjarjen e dhunshme të ndodhur në Palasë në gusht të vitit 2024.
Mes personave ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie janë: Abedin Koçeku, Artur alias Luçiano Koçeku, Dritan Aga, Baftri Troci, Gëzim Islami, Edmond Jaupi, Orges Birçaj, Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe Orest Sota.
/abcnews.al/



