Përveç fabrikës së riciklimit të mbetjeve në zonën e Kasharit, në kryqytet ka edhe shumë biznese të tjera që klasifikohen si tepër të riskuara për vetë kompanitë e po kështu edhe për banorët që jetojnë pranë tyre.
Gjatë një interviste për ABC News, kreu shërbimit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj theksoi se bizneset e vendosura në autostradën Tiranë-Durrës, por edhe magazinat që ndodhen brenda qytetit përbëjnë rrezik evident të rënies së zjarrit.
“Këto janë në autostradën Tiranë – Durrës ku janë përqëndruar bizneset më të mëdha në tiranë dhe blloqet e magazinave të shpërnadara në Tiranë. Ne kërkojmë vazhdimisht përmirësim të masave të mbrojtjes nga zjarri, sepse këto i kanë sistemet, por problem ngelet mosfunksionimi”.
Shumë subjekte janë penalizuar në Tiranë, pasi nuk plotësojnë kriteret për mbrotjten nga zjarri, por përsëri situata ka mbetur po e njëjtë.
“Kur këto subjekte nuk plotësojnë kushtet, atëherë ne kemi edhe penalitete. Nuk jemi të përqëndruar te penalitetet, sepse ngelet e njëjta situatë. Ne këmbëngulim më tepër në bashkëpunim për përmirësim të kushteve të mbrojtjes nga zjarri”.
Lidhur me zjarrin e rënë të dielën në fabrikën e riciklimit të mbetjeve, drejtori i shërbimit zjarrikës theksoi se, është ende herët për të dalë në një konkluzion përfundimtar.
“Nga kontaktet e para me drejtuesit e kompnaisë na është paraqitur që është luhatje tensioni, ne marrim vetëm opinionet e tyre, e të punonjësve, por ne jemi të përqëndruar në përcaktimin e vatrës së zjarrit dhe shkakun. Hetimet vazhdojnë. Akoma nuk kemi arritur në përfundimin e shkaqeve. Do të duhet pak kohë që ne të dalim në përfundim”.
Në fund Goxhaj apeloi që institucionet e rëndësisë së veçantë siç janë, kopshtet, shkollat dhe spitalet, duhet bashkëpunojnë më shumë me shërbimin zjarrfikës për të përmirësuar infrastrukturën e pajisjeve të mbrojtjes nga zjarri. /abcnews.al