Janë betuar në Presidencë 3 gjyqtaret e reja për në Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, të cilat u votuan nga Kuvendi dhe Marsida Xhaferllari, e dekretuar nga kreu i Shtetit.
E para në Presidencë për të marrë detyrën e gjyqtares në Kushtetuese është betuar Elsa Toska. Ky është plotësimi i vakancës së parë të Kuvendit, që zëvendëson ish-gjyqtarin, Vladimir Kristo. Në Presidencë është betuar mbrëmjen e sotme, edhe anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, e dekretuar nga kreu i Shtetit.
Ky është plotësimi i vakancës së dytë të Presidentit që zëvendëson ish-gjyqtaren, Altina Xhoxhaj. Ndërkohë që për të njëjtën vakancë KED, emëroi automatikisht gjyqtaren Arta Vorpsi, të betuar para noteres.
E treta në Presidencë është betuar gjyqtarja, Fiona Papajorgji, e cila plotëson vakancën e dytë të Kuvendit, duke zëvendësuar ish-gjyqtarin Bashkim Dedja. Presidenti Ilir Meta deklaroi se Gjykata Kushtetuese nga sot nis funksionimin.
“I lumtur që më në fund, pas dy vitesh, fillon sot nga funksionimi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë! Urime tre anëtareve të reja të kësaj Gjykate!”, u shpreh Meta.
Në ceremoninë e betimit të tre gjyqtareve Meta ka ftuar edhe anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.
Të pranishëm kanë qenë edhe gjyqtarja Vitore Tusha së cilës i ka mbaruar mandati dhe pret të zëvendësohet, si dhe Besnik Muçi, i dekretuar nga kreut i Shtetit për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, por që nuk ka ende një vendim përfundimtar për procesin e vetingut. Që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale ka nevojë për 6 anëtarë. /abcnews.al

