Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, mbledhjeve të qeverive dhe afërsisë gjeografike mes Shqipërisë dhe Kosovës bashkëpunimi tregtar është ende në nivele të ulëta.
Statistikat e INSTAT flasin për një rritje graduale të eksporteve shqiptare drejt Kosovës që është edhe ndër partnerët kryesor veçanërisht pas pandemisë, por sërish shumë larg niveleve me vendet e tjera dhe potencialit që dy shtetet kanë.
Në fund të vitit 2022 vlera e mallrave “Made in Albania” të eksportuara drejt Kosovës arriti në 37.7 miliardë lekë, gati 342 milionë euro, një rritje minimale në raport me një vit më parë. Ndërsa importet kapen vleren e 16.6 miliardë lekëve.
Marreveshjet tregtare mes Kosoves dhe Shqiperise ne numer jane 127, por zbatim prej tyre kana gjetur vetëm 75.
Por, çfarë produktesh eksportojmë drejt Kosovës?
Peshën me të madhe e mbajnë eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metalet, ndjekur nga mineralet e lëndët djegëse, produktet kimike dhe plastike por edhe produktet ushqimore.
Ndërkohë nga ana tjetër pavarësisht se qeveria e Kosovës është zotuar të heqë dorë nga varësia e mallrave serbe dhe të nxisë tregtinë me Shqipërinë, shifrat tregojnë të kundërtën.
Vitin e kaluar Kosova importoi 371.6 milionë euro mallra nga Serbia që rezulton të jetë edhe partneri i katërt i Kosovës në këtë aspekt. I njëjti trend ka vijuar edhe gjatë këtij viti, pasi edhe të dhënat e fundit tregojnë se në prill importet nga Serbia u rritën me më shumë se 6%.