Berisha “trondit” drejtuesit politikë/ Nura: Lojë për të mbajtur pushtetin në PD. Petraj: Kërkon të bojkotojë zgjedhjet

schedule23:35 - 24 Janar, 2025

schedule 23:35 - 24 Janar, 2025

Drejtuesit politikë të PD-së nuk do të jenë në pjesën e sigurt të listave të kandidatëve për deputetë. Sali Berisha ka konfirmuar se do të jetë Këshilli Kombëtar që do të shqyrtojë propozimet që do të vijnë.

Drejtuesi politik i Vlorës, Bujar Leskaj ka dalë kundër, duke kërkuar që këta drejtues të mos kenë vend të sigurt në listën e mbyllur, por të hyjnë në primare, ose në të kundërt të dalin në listë të hapur.

Gazetari Artur Nura thotë se me një lëvizje të tillë, Berisha kërkon që të ruajë pushtetin absolut në PD.

“Tregon lojën për të ruajtur pushtetin në PD. Besoj se do të luajë me ata që e kanë ndjekur, mbështetur  në ditë të vështira dhe akoma është në një ditë të vështirë, vazhdon procesi penal, dhe i duhet besnikëri. Besnikëria është çelësi për fitore. Po luan me një test për të demonstruar besnikëri. Kush tronditet, si Leskaj që është i vetmi deri tani që ka reaguar, do të jetë koka e turkut. Pavarësisht sinqeritetit se ka reaguar Leskaj, i është referuar momenteve më të vështira të Berishës kur u kthye në PD dhe të gjithë këta që janë sot kryetarë degësh ishin të parët që guxuan. Sot po bën test tjetër si i fillimit për të ruajtur pushtetin absolut në PD. PD është Berisha dhe Berisha është PD.”, tha Nura.

Ndërkohë avokati Edmond Petraj tha se Berisha kërkon që të bojkotojë zgjedhjet pasi e di shumë mirë se do të humbë. Sipas tij, primaret, sado demokratike të jenë, nuk mund të funksionojnë, përsa kohë PD është e shkatërruar nga brenda.

“Ka ndërmarrë hapin e spastrimit. Ai e tha direkt pasi doli nga arresti, tha se do të pastrojmë shtëpinë. Më duket një veprim si kryetar partie që do ta bëjë por që këto primaret, sado demokratike të jenë nuk mund të funksionojnë siç duhet në një kontekst kur baza është e shkatërruar nga brenda.

Berisha do të bojkotojë zgjedhjet. Humbja do të jetë e thellë, e ndjen këtë sepse një parti e përçarë në katërsh. Ajo mund të bëjë atë të cilën do të krijojë një grupim të pestë. Prandaj them se Berisha po bën planin.”, tha Petraj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!