Berisha sulm Yuri Kim: Po sillet si ambasadori i Bashkimit Sovjetik

schedule13:44 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 13:44 - 11 Dhjetor, 2021

Lideri historik i PD-së Sali Berisha sulmoi hapur dhe ashpër ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim duke deklaruar se po sillet në Shqipëri si guvernatore, “njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik“. Ish-kryeministri e cilësoi mjerane dhe brutale ndërhyrjen e Yuri Kim në Shqipëri.

Kundër nesh peng-kryetari me të gjithë mbështetjen e qeverisë, por mjerisht ne u përballëm me një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA-ja.

Me këtë rast unë dua të theksoj dhe t’u them këtyre zyrtarëve se ne jemi një komb i vjetër, në historinë tonë pakkush më shumë se ne ka pasur të bëjë me superfuqitë e kohërave nga lashtësia deri sot. Bashkimi Sovjetik ashtu sikur e cilësoi Presidenti amerikan Regan, ishte perandoria e së keqes, e degradimit të njeriut, e mjerimit, e dhunës, terrorit.

E kundërta e tij janë SHBA-të. Perandoria e lirisë, e vlerave. Vendi i madhi lirisë ka bërë për lirinë e shqiptarëve më shumë se cdo vend tjetër në botë. Por vendi i madh ka bërë për lirinë e botës gjithashtu më shumë se kushdo. Është e dhimbshme të shohësh ambasadoren e SHBA-së të sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik në Tiranë. Perandoritë ndryshojnë si nata me ditën, por burokratët dhe njerëzit e harrojnë këtë” tha ai.

Më tej Sali Berisha nga stadiumi “Air Albania” u foli demokratëve për një rithemelim të PD-së, pasi sipas tij, Lulzim Basha në tetë vitet e fundit e çoi majtas duke e larguar nga vlerat konservatore.

Lulzim Basha u kujdes para së gjithash për karrigen e tij, për marrëveshjen me kreun e Meduzës, vendosi të sistemonte PD-në, ta shndërronte atë në një fasadë opozitë në një stojcë të narkoshtetit shqiptar.

Ai përjashtoi drejtues të PD-së nga funksionet drejtuese pa asnjë konsultë, pa asnjë analizë. Sulmoi në mënyrë të verbër partnerët tanë të denjë, FRPD-në dhe Lidhjen Demokratike të Gruas. Në 8 vite, Lulzim Basha partinë e vlera konservatore e spostoi majtas.

Me qëndrimet e tij dëshmoi se jo vota, jo vlerat e demokracisë, por parimet e partive të majta, ishin pasioni dhe vullneti i tij.  Në këto kushte të shumtë ishin ata që besonin se PD duhet të shkrihej dhe se mbaroi misionin e saj dhe se ajo është një forcë që nuk fiton dot.

Për të gjitha këto arsye themelore, demokrate dhe demokratë në mbarë vendin u bashkuan me nismën  e “Foltores” dhe ata vendosën që të rithemelojnë PD-në, që ne sot e bëjmë realitet. ‘Foltorja’ ishte uragani që kaloi nga qyteti në qytet. Ju kërkuat që PD të rithemelohet” tha ai.

Në fund kishte një thirrje për të gjithë demokratët. “Të mos shkojmë pas atij që e konsideron partinë si pronë personale, pas njeriut që nuk ka asnjë normë përveç pabesisë, është drejtuesi që kalon nga disfata në disfatë. Demokratët meritojnë fitoren, të ardhmen dhe vizioni i tyre për Shqipërinë është më i shkëlqyeri. Rroftë PD-ja e rithemeluar. Rroftë Shqipëria” deklaroi ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!