Berisha s’ia doli, Basha ruan PD-në dhe selinë: Gjithçka ndodhi gjatë 3 orëve të përballjes për godinën

schedule19:40 - 8 Janar, 2022

schedule 19:40 - 8 Janar, 2022

Sali Berisha nuk e mori dot selinë e Partisë Demokratike. Mbështetësit e tij thyen dyert e fortifikuara. Në një pikë të nxehtë të përplasjes, Basha njoftoi policinë, dhe uniformat blu ndërhynë me gaz lotsjellës e shpërndanë protestuesit. Berisha shpërndau turmën pas disa orësh dhe tha se do të rikthehen sërish më fuqishëm.

Si nisën incidentet?
Përplasja mes mbështetësve të Berishës dhe Roland Bejkos ishte vetëm nxemja e një dite të vrullshme përplasjesh në selinë e Partisë Demokrate. Ende pa mbërritur Sali Berisha, përkrahësit e tij ja dolën të thyejnë derën kryesore të selisë dhe të hynin në katin e parë. Basha ndodhej ndërkohë në katin e dytë të selisë me disa bashkëpunëtorë të tij, dhe njerëzit e Berishës duhet të rrëzonin disa porta të hekurta për të hyrë aty. U provuan disa metoda po nuk ja dolën.

Prej orës 11:00, deri në orën 13:00, përplasja mes berishistëve dhe bashistëve vazhdoi, dhe policia që mohoi që të ishte ajo që kishte përdorur sprajin irritues në selinë blu. Kur fortifikimet e Bashës filluan të rrëzohen, PD i kërkoi ndihmë zyrtarisht policisë për të mbrojtur jetën e kryetarit dhe deputetëve që ishin brenda. Uniformat blu reaguan brenda pak minutash, duke mos e kursyer gazin lotsjellës dhe duke e shpërndarë turmën disa metra larg selisë.

Të dëmtuar nga gazi, protestuesit u shtrinë buzë Lanës për të marrë veten, ndërsa policia u vendos gardh në portën kryesore të PD-së duke mos lejuar njeri të rikthehet. Por armiku kryesor i Bashës, ishte ende në fole. Gjatë aksionit të policisë, Sali Berisha dhe disa bashkëpunëtorë të tij, ishin strehuar në një nga zyrat anësore të partisë, ku ishin pajisur edhe me mjete mbrojtëse.

Berisha doli dhe grumbulloi mbështetësit e tij, duke bërë një ecje afër kryeministrisë, dhe tentoi sërish t’i drejtohej selisë blu. Por policia reagoi sërish me gaz lotsjellës, duke mos e lejuar të kalojë urën e Lanës. Pas kësaj zbrapsje të dytë, Berisha ndenji pak kohë në bulevard duke komunikuar me grupin e tij të ngushtë, se cfarë duhet të bënte. Pastaj komunikoi vendimin duke mbyllur protestën. Pa mundur të ri-marrë shtëpinë e demokratëve, Berisha e mbylli kapitullin e parë.

17:15 – Selia “skenë krimi” pas protestës, sulmit s’i shpëton as zyra e Bashës, dalin pamje

Dhunës vandale të protestuesve të mbledhur nga ish-kryeministri Sali Berisha, nuk i ka shpëtuar as zyra e kryetarit të PD Lulzim Basha. Nga pamjet e siguruara nga abcnews.al shihen dritaret dhe dera e thyer nga sulmet me gurë.

Mbështetësit e ish-Kryeministrit Sali Berisha kanë hyrë brenda selisë së Partisë Demokratike para orës 12:00 kur ishte planifikuar të nisë protesta. Ata kanë rrëzuar dyert e mbyllura të godinës së Partisë Demokratike.

16:02 – Dhuna në selinë e PD vë në “lëvizje” DASH, mesazhi për amerikanët për “skenën e krimit”

Protesta e dhunshme e Sali Berishës në selinë e PD ka shqetësuar amerikanët.

Pas ambasadës së SHBA dhe BE, edhe Byroja e Çështjeve Konsullore në Departamentin amerikan të Shtetit i ka dënuar aktet e dhunshme.

Teksa ka shpërndarë postimin e ambasadës së SHBA në Tiranë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin zonën rreth selisë së Partisë Demokratike, e cila tashmë është kthyer në një skenë krimi. Byroja shkruan se incidente të tjera mund të shfaqen në pjesë të tjera të qytetit.

“Protesta në selinë e Partisë Demokratike është përshkallëzuar në dhunë, me incidente të forcës fizike dhe gazit lotsjellës. Shmangni zonën dhe qëndroni të vetëdijshëm për rrethinën pasi mund të shfaqen incidente në pjesë të tjera të qytetit”, shkruhet në postim.

Për rreth 3 orë mbështetësit e Berishës shkatërruan gjithçka mundën në selinë e PD. Dhuna nisi para orës 12:00 kur ishte planifikuar nisja e protestës. “Viktima” e parë e militantëve të Berishës ishte anëtari i Kryesisë së PD, Roland Bejko, të cilin turma e inatosur e rrethoi dhe jo pak e shtynë, teksa njëri tentoi ta godiste me çadër.

Gjatë protestës është hedhur sasi e madhe gazi lotsjellës. Gazi është lëshuar nga dera anësore e selisë, e cila ndër të tjera është blinduar me profile metalike. Protestuesit janë përpjekur që të ngjiten me shkallë në katin e dytë, aty ku ndodhej kryedemokrati Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të PD por ka qenë e pamundur. Disa protestuesve u është hedhur spraj lotsjellës nga një dritare në katin e tyre. Forcat e policisë hodhën ujë për të larguar të gjithë protestuesit. Këta të fundit u shpërndanë në rrugë të ndryshme të zonës përreth për shkak të hedhjes së ujit dhe gazit lotësjellës.

Selia e Partisë Demokratike është rrethuar nga policia me shirin e verdhë skenë krimi. Pas largimit të protestuesve, godina e PD-së është marrë në dorëzim nga forcat e policisë. Dyert dhe xhamat e katit të parë duken të thyera pas tentativës së protestuesve për të hyrë brenda selisë. Por ndërkohë selia e PD është “skenë krimi” dhe aty po bëhen hetime nga policia dhe Prokuroria e Tiranës.

16:05 – “I morën “fytyrën” PD-së”, Salianji për Berishën: Nuk vjen zgjidhja nga pushka

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar sërish në një deklaratë për mediat për situatën e krijuar sot në PD, ku militantët e thirrur nga Sali Berisha shqyen dyert e partisë dhe shkatërruan gjithçka në katin e parë, teksa në të dytin ndodhej kupola drejtuese e PD-së zyrtare.

Kishte gra shtatzënë që janë drejtuese të PD-së, njerëz të sëmurë që u shtrinë brenda ambienteve. Ishte një dhunë ekstreme e drejtuar ndaj përfaqësuesve më të lartë të PD-së. Nuk e di pse u zgjodh kjo dhe a ndihen të turpëruar. Unë ndihem i turpëruar edhe duke qenë aty që PD të eskalojë në dhunë.

Nuk është se PD dhe lidershipi nuk kanë gabime, por nuk është kjo rruga që ringrihet PD-ja dhe mundet Rama. Të gjithë ata i përdorën sot si “mish për top”. Sali Berisha nuk ka më asnjë funksion në PD. Cdo person non grata nuk mund të ketë asnjë funksion. Nuk zgjidhen këto me pushkë, armë dhe dhunë. Unë do të kërkoj që të mbahet përgjegjës cilido për aktet e dhunës” tha ai.

15:43 – Mbi 20 protestues të shoqëruar, agjentët mbërthyen vandalët që shqyen selinë e PD-së

Ka shkuar në 20 numri i protestuesve të shoqëruar pas tubimit të Sali Berishës që degjeneroi në dhunë në selinë e PD-së.

Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra raporton se një pjesë e personave të shoqëruar janë vëzhguar nga agjentët e policisë, civilë që ishin pranë vendit të ngjarjes në momentin që shqyen derën kryesore, thyen xhamat, shkatërruan kamerat dhe u ngjitën në katin e dytë me shkallë.

Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj me grupin hetimor dhe drejtuesit e policisë së Tiranës ndodhen në selinë e PD-së për të mbledhur provat për të çuar përgjegjësit e dhunës përpara drejtësisë.

15:40 – Protesta e Berishës në PD, Bledi Çuçi: Aktet e dhunës nuk do tolerohen

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas protestës së Sali Berishës dhe mbështetësve të tij në PD. Ai shkruan në rrjetet sociale se Policia ka treguar sot sjellje profesionale dhe se është trupë e depolitizuar. Ministri thekson se protestat janë themelore në demokraci por aktet e dhunës nuk do të tolerohen.

“Policia e Shtetit tregoi edhe njëherë sot një sjellje profesionale në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Dëshmoi gjithashtu se është një trupë e depolitizuar dhe tërësisht e angazhuar për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Protestat paqësore janë themelore në demokraci, por aktet e dhunës dhe tentativat për të cenuar rendin publik nuk do të tolerohen. Policia e Shtetit është e vendosur për të vijuar punën dhe misionin që i ngarkon ligji. Përgëzime Policia e Shtetit.

Keqardhje e thelle per komentatoret politike dhe publike qe baltosin Policine e Shtetit, ne nje prej diteve me te mira te saj perballe nje nder situatave me te nderlikuara ne historine e pluralizmit. E drejte, e e paanshme, e pergatitur dhe profesionale Policia e Shtetit do te beje deri ne fund punen e saj. Tanime ne bashkepunim te ngushte me Prokurorine, jashte dhe brenda godines se turpit te sotem kombetar”, shkruan ai.

15:38 – Prokuroria sekuestron serverat e kamerave në PD, Imeraj debat me Bardhin: Merr një laps dhe letër

Prokuroria dhe policia kanë marrë në dorë godinën e Partisë Demokratike për të hetuar të gjitha rrethanat e protestës që degjeneroi në dhunë ndaj institucionit ditën e sotme.

Hetuesit kanë kërkuar që deri në mbledhjen e plotë të provave asnjë person të mos futet në ambientet e brendshme të saj.

Nga ana tjetër ka pasur edhe një debat me sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi dhe drejtueses së Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj pasi ai ka ngulmuar të lejojë median të futet brenda godinës.

Kjo e fundit i ka kërkuar që me një laps dhe letër të japë deklarimet në lidhje me ngjarjen.

Prokuroria ka marrë serverin e kamerave të Partisë Demokratike për të hetuar të gjitha pamjet që kanë fokusuar pamjet nga protesta e sotme.

15:00 – Basha hap dyert e partisë për gazetarët, policia nuk i lejon: Është skenë krimi, po hetojmë

Pas përfundimit të protestës së thirrur sot nga ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i PD Lulzim Basha ka hapur dyert e zyrës së tij për gazetarët.

Basha ka ftuar gazetarët të futen brenda selisë bashkë me kamerat e tyre për të pasqyruar gjendjen e saj pas vandalizmit nga ana e protestuesve.

Nga ana tjetër policia nuk e ka lejuar një gjë të tillë pas godina e PD është shpallur skenë krimi dhe tashmë policia dhe prokuroria po mbledhin prova për hetimin e plotë të saj.

Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka tentuar të negociojë me efektivët të lejojnë gazetarët të futen brenda.

“Do japin deklaratë për mediat në zyrën e tyre. Nuk I ndaloni dot mediat të bëjnë transparencë për krimet që ka kryer sot Sali Berisha në godinën e demokratëve. Ju lutem hapni rrugën për përfaqësuesit e medias që të shikojnë krimin e shëmtuar që ka kryer Berisha’, tha Bardhi.

14:42 – Mbështetësit e tij “përcjellin” Berishën poshtë pallatit: Protesta e radhës shumë shpejt

Mbështetësit e tij e kanë përcjellë Sali Berishën deri poshtë shtëpisë së tij duke kërkuar që data e protestës së radhës të jetë nesër. Berisha deklaroi se do të njoftohen për datën e radhës që nuk do të jetë e largët. Ai u shpreh se nuk do të ndalen derisa PD të rikthehet në pushtet.

“Ju e patë se si shpalosi Edi Rama skenarin e tij kundër pluralizmit politik në Shqipëri dhe Partisë Demokratike. Sot gjithçka doli e qartë si në dritën e diellit. Kjo betejë tregon për ne njerëzit e lirë që rruga që kemi për të bërë nuk është e lehtë sepse ajo kalon përmes sakrificave. Është një rrugë e suksesshme dhe fitimtare.

Sot dëshmuam se jemi opozita e vërtetë e këtij vendit dhe këtij kombi. Ky është një revolucion që ndalet vetëm me përmbysjen e narkoshtetit. Synon rikthimin në pushtet të PD përmes votës së lirë. Në tre muaj kohë ne kthyem votën e lirë në PD. Tani mendojnë se mund ta mbajnë të mbyllur në bunker. Kurrë.

Le të shpërndahemi me betimin për t’u kthyer sa më parë në betejën tjetër edhe më të fuqishëm se kjo. Do ta njoftojmë datën. Unë mbetem, përulem para jush për guximin dhe vendosmërinë tuaj. Do përcaktojmë në kohë në mënyrë që 44 mijë burrat dhe gratë e lirisë të mblidhemi si sot. Nuk do jetë ditë e largët, do jetë edhe më e fortë”, tha Berisha.

14:30- Protesta e Berishës degjeneroi në dhunë, policia: Po mbledhim provat, autorët para drejtësisë

Policia e Shtetit njofton se po mbledh provat e dhunës në selinë e PD-së për të vendosur përpara drejtësisë të gjithë autorët që e kthyen në skenë krimi selinë blu. Policia e Shtetit u përgjigjet edhe akuzave të Sali Berishës duke deklaruar se mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës.

Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.

Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëlllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.

Në vijim do të ketë njoftime të tjera lidhur me këtë situatë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme” mbyllet deklarata.

Pas më shumë se tre orësh protestë dhe dhunë, Sali Berisha u tërhoq duke mbyllur tubimin me premtimin se do të rikthehet sërish deri në arritjen e qëllimit final që është largimi i Lulzim Bashës nga zyra.

14:23 – Nuk e mori dot selinë pas tre orësh “luftë”, Berisha mbyll protestën: Shpërndahuni!

Pas tre orësh, ish-kryeministri Berisha ka mbyllur protestën e sotme duke kërkuar shpërndarjen e mbështetësve. Ai tha se përpjekjet për të shndërruar PD-në në shtëpi lirie do të vazhdojë deri në arritjen e plotë të qëllimit.

“Kjo faktoj në mënyrë përfundimtare se Edi Rama mban peng Lul Bravën dhe bashkë me të, me dhunë dhe terror, shtëpinë e PD-së. Ky përbën një akt të pashembullt në 30 vite. Përpjekjet për shndërruar në shtëpi lirie PD-në do të vazhdojnë deri në arritjen e plotë të qëllimit. Sot ne do të shpërndahemi “, tha Berisha.

Ai tha se protestat do të vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë ndërsa edhe njëherë tjetër e akuzoi Bashën si peng të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

“Dyert e PD do të happen nga ata 44 mijë burra dhe gra për shkarkimin e peng Bashës. Kjo nuk ka asnjë lloj ekuivoku. Ka plot variante të tjera që mund të ndjekim. Ne do kthejmë shtëpinë tonë në shtëpinë e lirisë. Nëse do i druhesha një hetimi penal nuk do isha këtu. Jam anëtar i një revolucioni fitimtar që nuk ka të ndalur deri në triumfin e tij.

Dita e sotme tregon se ky është mision i shenjtë. Kjo është fytyra e vërtetë e narkoshtetit. Kjo përbën një motivim shumë më të madh për të vazhduar këtë revolucion. Basha është peng i zotit Rama. Do të ketë protesta në të gjithë Shqipërinë. Ata që duan ta mbajnë peng me banditë dhe mjete dhune do përballen me vrullin e një revolucioni që nuk ka të ndalur”, deklaroi ai.

13:54 – “Largohuni”! Berisha niset sërish drejt PD-së, policia i bllokon rrugën, hidhet gaz lotsjellës

Policia bllokon rikthimin e Sali Berishës në selinë e PD-së.  Ish-kryeministri pas largimit rreth orës 13:15 minuta mga selia blu tentoi që të rikthehet sërish, por policia i bllokoi rrugën duke mos e lejuar liderin historik të PD-së dhe mbështetësit e tij që të kalojnë nga krahu i Piramidës në anën tjetër të bulevardit ku ndodhet selia e PD-së.

Godina e PD-së dhe të gjitha hyrjet e saj janë rrethuar nga policia e shtetit pas thirrjes që Lulzim Basha i bëri për të ndërhyrë.

13:50 – Dy orë “luftë”, varre, gaz dhe shpërthime: Dalin pamjet nga brenda selisë së PD-së, shkatërrimi është i madh

Mbështësit e Berishës janë larguar tashmë nga selia e PD-së duke iu drejtuar kryeministrisë, ndërkohë që policia ka vënë rendin rreth kësaj godine.

Përplasja aty ndodhi për të paktën dy orë, ku mbështetësit e Berishës përdoren edhe mjete të rënda si varre për shqyerjen e dyerve.

Siç shihet edhe nga pamjet nga brenda selisë së PD-së, dëmet janë të konsiderueshme nga ajo që ka ndodhur.

Më herët, policia nisi një operacion të gjerë për largimin e mbështetësve të ish-kryeministrit Berisha nga selia e Partisë Demokratike.

Fillimisht është ndërhyrë nga pjesa lindore e saj duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në perimetrin e jashtëm të selisë, ndërsa është marrë nën kontrolle dhe vetë godina.

Më pas, policia ka ndërhyrë edhe nga pjesa që lidh rrugën “Xhorxh Bush” me unazën e Tiranës, duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të mbështetësve të Berishës.

Këta të fundit janë larguar bashkë me Berishën, i cili u pa më herët me një maskë kundër gaz në shkallët pranë selisë së PD-së për të vijuar më pas marshimin në drejtim të kryeministrisë. /abcnews.al

13:40 –  Policia shpall godinën e PD skenë krimi, i vendos shiritat e verdhë

Policia ka shpallur skenë krimin godinën e Partisë Demokratike duke vendosur shiritat e verdhë në ambientet e jashtme të saj.

Pas ndërhyrjes së policisë janë larguar protestuesit të cilët janë drejtuar drejt kryeministrisë të prirë edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha.

13:35 – Grida Duma shfaqet nga selia e PD-së: Boll më! Nuk po marrim dot frymë

Nënkryetarja e PD-së Grida Duma ka reaguar ashpër kundër dhunës së ushtruar nga mbështetësit e Sali Berishës.

“Kjo është PD sot. Moment i rëndë, jo vetëm për gazin dhe dhunën. Nuk ka demokrat që sulmon një demokrat. Erdhëm këtu se asnjë nuk mund ti lërë kauzën te dhuna. Nuk besoj te dhuna, nuk besoj te saldimi i portave. Por besoj se duhet të ketë një ndërgjegje të madhe me këtë lidershipi i cili i vjetër, ti thosha “hajdeni këtu dhe futuni brenda normal” dhe grupi i deputetëve të PD-së duhet të vinin dhe diskutonin qetësisht. Dhuna nuk duhet të ndodhte.

Kjo nuk mund të imagjinohet. Është një fatkeqësi për ne të gjithë. Sot bëjmë protesta kundër njëri tjetrit. Nuk është cështje godine dhe dhune. Ne pritëm që të vinin me një lloj normaliteti. Boll më. Kemi dalë te pjesa e verandës sepse brenda ishte e pamundur që të merrje frymë” u shpreh Duma.

13:08 – Protestuesit nxirren jashtë perimetrit rrethues të PD, policia merr në dorë godinën

Pas hedhjes së sprajit para selisë së Partisë Demokratike, protestuesit kanë dalë nga perimetri rrethues i selisë blu. Policia ka marrë në dorë godinën e PD për të ruajtur sigurinë e kryedemokratit Lulzim Basha dhe anëtarëve të tjerë të PD.

Pas ndërhyrjes policia ka nisur shoqërimin e protestuesve që kanë vandalizuar godinën e selisë blu. Policia ka filluar të ndërhyjë pas kërkesës së kryedemokratit Lulzim Basha për të siguruar jetën e deputetëve të PD-së. Policia është futur nga krahu lindor i PD-së duke hedhur ujë në drejtim të mbështetësve të Berishës.

Mësohet se janë larguar nga brendësia e godinës edhe ata mbështetës të Berishës që ndodheshin në brendësi të saj.

11:30 – Shqyhet dera, mbështetësit e Berishës futen në selinë e PD

Mbështetësit e Berishës kanë shqyer derën kryesore të selisë së Partisë Demokratike duke u futur me forcë aty. Një numër i madh i tyre janë mbledhur para selisë së demokratëve ku një numër i konsiderueshëm u futën brenda.

Ata kërkojnë largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së. Një ditë më parë, ish-kryeministri Berisha tha se do ta shoqëronin Bashën “miqësisht jashtë selisë së PD-së”.

Teksa po dilte nga banesa e tij, ish-kryeministri Berisha kërkoi vetëpërmbajtje nga mbështetësit e tij, pasi ata shqyen derën e Partisë Demokratike.

10:58 – U godit nga mbështetësit e Berishës, Roland Bejko: I kam mbajtur me bukë në shtëpinë time

Roland Bejko është larguar nga selia blu pasi është shtyrë nga demokratët të cilët e kanë ndjekur deri në rrugë duke tentuar ta qëllojnë me çadër. Ai tha se personi që e ka qëlluar dikur ka ngrënë bukë në shtëpinë e tij ndërsa shtoi se deri këtu ka mbërritur përçarja e demokratëve. Bejko theksoi se nuk do bëjë kallëzim në polici ndërsa u bëri thirrje Berishës të mbajë nën kontroll demokratët që ka thirrur në protestë.

“Më qëlloi nga mbrapa. Atë e kam mbajtur me bukë. Sa herë vinte në Gjiroklastër ishte i mikpritur te unë. Të vijë dikush që e ke mbajtur me bukë të qëlloi nga mbrapa, kjo ka marrë fund. Unë e kam mbështetur Berishën në vitin 1997 deri në vitin 2013. Kam ardhur të futem në seli. Nuk e dija që kishte kaq shumë njerëz. Këtë që më bënë këta sot ma kanë bërë vetëm enveristët.

Këta janë njerëz që kanë dhënë shumë për PD. Fajin e ka ai që i ka sjellë këtu. Jam befasuar kur më qëlloi njeriu që e kam mbajtur me bukë. Nuk do bëj asnjë kallëzim. Si mund të hapet dera kur dihet si është situata. Erdha me vonesë”, tha Bejko.

10:50 – Mbështetësit e Berishës godasin Roland Bejkon para selisë së PD-së

Mbështetësit e Sali Berishës të mbledhur pranë selisë së PD-së kanë goditur pak minuta më parë Sekretarin për Pushtetin Vendor Roland Bejko. Gjithçka ka ndodhur teksa Bejko iu afrua selisë së PD-së me qëllim futjen brenda saj, por menjëherë është rrethuar nga mbështetësit e Berishës, të cilët e shtynë, goditën dhe fyen duke i kërkuar që të largohej prej aty.

Në një intervistë gjatë ditës së djeshme në ABC Live, Bejko tha se ishte kërcënuar nga mbështetësit e Berishës, por theksoi se nuk kishte frikë nga asnjë. Më herët, përmes një statusi në rrjetin sociale Facebook ai tha po ashtu se nuk i trembej kërcënimeve që i vinin në “inbox”.

Bejko shkruante se komentet fyese që do të vijnë në faqen e tij, do të marrin mbrapsht atë që meritojnë, me çdo fjalë të mundshme që përmban fjalori i gjuhës shqipe.

10:25 – FOTOLAJM/ Forca të shumta policie dhe autobot uji rreth godinës së PD-së, pak para protestës së Berishës

Policia ka shtuar forcat e saj në perimetrin përreth godinës së Partisë Demokratike pak orë para nisjes së protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit ka shprehur vazhdimisht qëllimin për të marrë godinën sot bashkë me mbështetësit e tij duke e quajtur këtë “rikthim në shtëpi”.

Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton për abcnews.al se në oborrin e godinës së Parlamentit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg selisë së demokratëve janë vendosur forca të shumta policie, si edhe një autobot me ujë që përdoret për shpërndarjen e protestuesve.

Më herët, vetë demokratët kishin marrë masa duke vendosur altoparlantë të mëdhenj në tarracën e godinës, të cilët pritet të përdoren në rast të përshkallëzimit të situatës për t’u bërë thirrje mbështetësve të Berishës.

Krahas kësaj, oborri para selisë së PD-së është mbushur me makina me qëllim parandalimin e grumbullimeve pranë saj.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha u fut në godinën e demokratëve sot në mëngjes ku pas pak pritet të fillojë edhe një mbledhje e Grupit Parlamentar teksa jashtë do të protestojë Berisha.

10:23 – Protesta e Berishës, Flutura Açka: Kush nxit përplasje mes demokratëve e dënoftë historia

Deputetja e PD Flutura Açka ka një thirrje demokratët pak para nisjes së protestës së thirrur nga Sali Berisha. Ajo shkruan në rrjetet sociale se demokratët janë paqje, liri, ligj dhe fjalë dhe jo mure, urrejtje, dhunë apo muskuj. Açka shprehet se kush nxit përplasje sot mes demokratëve duhet ta dënojë historia.

Statusi i Açkës

Demokratët janë zemër, jo mure, jo dritare, jo orendi!
Demokratët janë paqja, jo urrejtja, jo linçimi, jo fyerja!
Demokratët janë Liria, jo dhuna, jo djegia, jo shkatërrimi!

Demokratët janë Ligji, jo muskujt.
Demokratët janë Fjala, jo forca.

Në jemi 80 mijë demokratë, por duhet të respektojmë me paqen dhe civilizimin tonë ata 600 mijë shqiptarë që na votuan më 25 prill 2021. Ata, që i kishin varur kaq shpresa te ne, janë të trishtuar të na e shohin aq hapur etjen për të shqyer familjarin tonë, demokratin përballë.

Ata nuk do të na e falin kurrē qoftë një gur të hedhur sot, as qoftë miniaturat e skenarëve dumbabaiste të vitit 1998.

09:50 –  PD merr masa për protestën e Berishës, në seli vendosen bokse, për çfarë do të shërbejnë

Kur kanë mbetur pak më shumë se dy orë nga nisja e protestës së Sali Berishës në selinë blu, Partia Demokratike po merr masa që të shmangën incidente të mundshme.

Gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj sjell foto nga godina e PD, ku në çatinë e saj ka nisur vendosja e bokseve.

Bokset do të shërbejnë për t’u bërë thirrje protestuesve në rast se do këte akte dhune nga ana e mbështetësve të Berishës.

09:20- Zbulohet strategjia e Bashës për të penguar grumbullimin e protestuesve para selisë blu

Edhe pak orë kanë mbetur nga protesta e thirrur sot nga ish-kryeministri Sali Berisha. Basha ka mbërritur i pari në selinë e PD duke u drejtuar në zyrën e tij ku ka planifikuar një ditë normale pune me mbledhje dhe takime. Deri më tani në seli kanë mbërritur Enkelejd Alibeaj, Grida Duma, Ervin Salianji, Agron Gjekmarkaj, Saimir Korreshi, Zef Hila dhe Ramadan Lika.

Gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj raporton se në parkingun e selisë blu kanë nisur të afrohen një numër i madh automjetesh të cilat janë parkuar njëra pas tjetrës duke zënë pjesë më të madhe të hapësirës.

Kjo duket të jetë një strategji e Bashës për të penguar grumbullimet e protestuesve para selisë blu.

Ai ka thirrur sot në takim kryetarët e degëve në orën 11:00 në lidhje me kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor.

Pas mbledhjes me kryetarët e degëve pritet të mblidhet kryesia e Partisë Demokratike.

Ndërkohë në orën 12:00 ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me mbështetësit e tij do të nisen drejt selisë për të mbajtur protestën kombëtare.

08:30 – Para protestës, Basha shkon në seli në 08:00 dhe përshëndet gazetarët me dy gishta, zbulohet axhenda

Kryedemokrati Lulzim Basha e ka nisur herët e ditën e tij sot duke shkuar në seli që në orën 08:00. Basha ka shkuar në zyrën e tij pak orë para takimeve të thirrura për ditën e sotme. Teksa futen brenda ambienteve të selisë blu Basha ka përshëndetur gazetarët me dy gishta.

Ai ka thirrur sot në takim kryetarët e degëve në orën 11:00 në lidhje me kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor.

“Të nderuar Kryetarë, Të shtunën, datë 8 Janar, ora 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor,

“Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do ti nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po atë ditë”, thuhet në mesazhin që Gazment Bardhi u ka çuar kryetarëve të degëve.

Pas mbledhjes me kryetarët e degëve pritet të mblidhet kryesia e Partisë Demokratike. Ndërkohë në orën 12:00 ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me mbështetësit e tij do të nisen drejt selisë për të mbajtur protestën kombëtare. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!