Berisha non grata, Rama: Për mua ka rëndësi puna, nesër mblidhet komiteti për të liruar masat kufizuese

schedule11:05 - 26 Maj, 2021

schedule 11:05 - 26 Maj, 2021

Vendimin e DASH për të shpallur non-grata ish-kryeministrin Sali Berisha, kreu i qeverisë Edi Rama nuk preferoi ta komentojë duke deklaruar se për të ka rëndësi vetëm puna për mandatin e tretë. Rama u ndal duke folur për gazetarët në qendrën e vaksinimit në sheshin “Skënderbej”, ku deklaroi se është i vendosur të çelin një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik.

Kryeministri njoftoi se ditën e nesërme do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve për të vendosur një lirim të masave shtrënguese gjatë pandemisë, duke theksuar se duhet të bëhet kujdes pasi ende nuk ka një parashikim të plotë se kur do të dalim nga ky tunel.

Rama u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me mandatin e tij pasi u shpall fitues në Vlorë dhe Durrës, por ende nuk dihet se ku do qëndrojë. Ai nuk bëri asnjë koment duke u larguar bashkë me ministren.

“Jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit por është shumë e rëndësishme të mos harrojmë që nuk kemi parashikueshmëri të plotë me rrugën drejt daljes nga ky tunel dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Nesër komiteti do të dalë me planin e ri për lehtësim të mëtejshëm të masave.

Ambicia jonë për një sezon turistik të lehtësuar do të përmbushet. Nuk ka kohë për pushim dhe jam i vendosur të çelim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik dhe të shmangim të gjitha ato aspekte që e kanë kthyer jetën publike në telenovelë rraskapitëse.

Për mua ka shumë më tepër rëndësi sa vaksina kryhen gjatë ditës dhe sa kantieret përparojnë duke përmbushur angazhimet tona dhe mbi të gjitha, jemi duke punuar për mandatin e tretë dhe së shpejti do të dalim përpara shqiptarëve me programin e angazhimeve konkrete në kongresin e 12 qershorit”, tha Rama./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!