Berisha krah Spahisë dhe Voltana Ademit: Më 6 Mars përballemi me Ramën dhe Bravën, na morën logon

schedule11:42 - 15 Shkurt, 2022

schedule 11:42 - 15 Shkurt, 2022

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë një takimi me fermerët në zonën Ana e Malit në Shkodër se këto zgjedhje janë të përmasave kombëtare dhe jo vetëm lokale. Në krah të kandidatit Bardh Spahia dhe kryebashkiakes në detyrë Voltana Ademi, Berisha tha se Basha është një njeri fals që dëmton PD.

“Kam shumë kënaqësi të bisedoj me ju. Të shpreh nderimin më të madh. Mes njerëzve punëtorë njerëzit e tokës janë më punëtorët. Gjithmonë takimi me fermerët është shumë i nderuar. Edhe unë ndihem i nderuar që jam sot midis jush. Jemi në një fushatë elektorale më shumë kombëtare se lokale për nga rëndësia e saj. Kemi nisur dy përpjekje. Njëri është që të jemi opozitë e vërtetë.

 Njeriu fals jo vetëm nuk vlen por edhe dëmton. Ne duhet t’i japim një mesazh të gjithë shqiptarëve kundër qeverisë së Edi Ramës dhe rrëzimin e këtij shteti për të cilin interesat e qytetarëve nuk ekzistojnë. Ata që janë në protesta dhe terror në rrugët e Tiranës janë absolutisht të ligjshëm. Jo vetëm me ligjet tona por me ligjet e çdo vendi demokratik. Qeveria sillet si pushtuese dhe jo si një qeveri që trajton qytetarin me dinjitet”, tha Berisha.

Ai u shpreh se në këto tetë vite PD ka pasur në krye një burrë të dobët që nuk u bë lider asnjëherë pasi nuk di si të udhëheqë.

“PD këto 8 vite ka pasur në krye një burrë të dobët në të gjitha aspektet. Ai nuk u bë lider ndonjëherë. Ai nuk fiton pasi nuk di si udhëhiqet. Të gjithë shqiptarët po t’i pyesësh çfarë është, është lider i dobët. Plus standardin e ulët që ka treguar në këto muaj si politikan. Në këto zgjedhje duhet të bëjmë gjithçka për çdo votë. Bardh Spahia do vazhdojë projektet e bashkisë dhe projekte të tjera. Do të ndërtohet tregu. Gjëja më e lehtë është të përqendrohesh në qendrat e qyteteve. Por është detyrë kryesore të bësh çdo fshat me infrastrukturë qyteti. Nesër në pushtet ky objektiv do të jetë i pandryshueshëm.

Ne përballemi me qeverinë e Edi Ramës që nuk njeh as një rregull por edhe me Lul Bravën të cilit Edi Rama i ka dhënë logon tonë. Tani votimi në logon e PD është votë e humbur. Të gjithë ju dhe të afërmit tuaj jeni të lutur të bëni të qartë që logo që duhet votuar me datë 6 mars është logo e Shtëpisë së Lirisë dhe kandidati ynë Bardh Spahia. Një djalë nga një familje me një traditë të shkëlqyer”,  shpreh ish-kreu i PD. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!