Vllaznia po fiton në fushë, por drejtuesit e saj së fundmi janë në konflikt të ashpër me njëri-tjetrin. Sponsori Alban Xhaferi dhe administratori Benjamin Naku raportohet të jenë konfliktuar në ndeshjen e fundit në Kupë ndaj Elbasanit.
Lajmet e publikuara në medie dje i përgënjeshtroi administratori Naku, i cili u shpreh se nuk ka pasur asnjë konflikt. Pas kësaj ka ardhur edhe reagimi i Xhaferit. Ky i fundit nw TV1 Channel nuk merret me incidentin, por shprehet se Naku bën njëkohësisht dy punë dhe kjo është jo ligjore.
MOSMARRËVESHJET – “Nuk dua të merrem shumë me pjesën e incidentit që ka ndodhur. Por, dua të jap një mesazh. Ashtu si ne po ndërtojmë një Vllazni kampione në kontekstin teknik, ashtu duam të ndërtojmë një administratë kampione, sepse këto të dyja shkojnë paralelisht.
Nuk mund të pretendojmë një Vllazni të fortë, nëse nuk kemi një administratë të fortë. Siç dihet, Vllaznia ka të trashëguar një të kaluar të tmerrshme në lidhje me borxhe dhe gjyqe të hapura”.
NAKU – “E dyta duhet të kuptojmë që tek Vllaznia ka një administrator me dy punësim. Ka një kontratë të plotë me Universitetin e Shkodrës dhe gjithashtu punësim si administrator i Vllaznisë.
Që këtu ka konflikt të hapur interesi. Nuk e kuptoj ku e gjen kohën e duhur që administratori të vijë edhe tek Vllaznia. Pra, këto janë probleme që procesi i privatizimit t’i japin një zgjidhje përfundimtare dhe çdo gjë të kthehet në sloganin: Rikthim tek suksesi”, u shpreh Xhaferi. /abcnews.al