Mbrojtësi i Partizanit, Egzon Belica, ka folur para ndeshjes kundër Laçit, ku më shumë është ndalur te rivali i tij direkt, sulmuesi Kylian Nwabueze. Mbrojtësi i “Demave” foli për Panorama Sport, ku tha se ky duel nuk e frikëson aspak, si dhe e gjithë skuadra do të mbrohet dhe do të sulmojë së bashku.
“Nwabueze? Me gjithë meritat që i takojnë sulmuesit të Laçit, i cili ka shënuar 12 gola deri tani në kampionat, ne do të bëjmë lojën tonë. Nuk shikoj ndonjë barrë personale, sepse ne do të sulmojmë dhe do të mbrohemi bashkë si ekip. Shpresoj të bëjmë lojën tonë dhe të mos kemi probleme”, tha mes të tjerash Belica.
Partizani dhe Laçi do të përballen ditën e hënë, në “Elbasan Arena”. Të besuarit e Franco Lerdës vijnë në këtë takim si kryesues të Superiores, por kanë vetëm një pikë më shumë se kurbinasit e vendit të dytë, që kanë shansin të marrin kreun në rast fitoreje./abcnews.al