Belgjikë, autori i sulmit kishte vrarë një person më përpara

schedule12:34 - 30 Maj, 2018

schedule 12:34 - 30 Maj, 2018

Një ditë përpara se të vriste 3 persona në qytetin e Liege-t, autori i sulmit kishte ekzekutuar një person me çekiç. Aktualisht, autoritetet belge po hetojnë pistën e terrorizmit, por në të njëjtën kohë po bëjnë verifikime nëse agresori ishte i droguar.

Benjamin Herman, personi i cili të martën vrau 3 persona në qytetin e Liege-t, kishte ekzekutuar të hënën një person tjetër përpara masakrës. Kjo është konfirmuar nga ministri i Brendshëm belg, Jan Jambom për mediat vendase. Trupi i viktimës, Michael Wilmet, 30 vjeç, është zbuluar në një banesë 50 kilometra larg qytetit të Liege-t. Viktima, sipas asaj që shkruajnë mediat belge, ishte një ish i dënuar, të cilin Herman e njihte.

Televizioni publik RTBF bën të ditur se Wilmet është vrarë me çekiç dhe arma më pas është gjetur në makinën e Herman në Liege. Policia gjithashtu po kryen hetime për të konstatuar një lidhje të mundshme midis daljes nga burgu të Benjamin Herman dhe një grabitje të kryer në natën ndërmjet të hënës dhe të martës në një dyqan bizhuterish në Rochefort.

“Ka elemente, por edhe kundër-elementë që flasin për terrorizëm për masakrën e Liege-s, por ne duhet të presim rezultatet e hetimit”, tha ministri i Brendshëm.

“Ka edhe shenja që thonë se autori Benjamin Herman u radikalizua në burg, por ne duhet të bëjmë shumë pyetje për këtë”, shtoi Jambom.

Gjithashtu ai nënvizoi se duhet verifikuar edhe sinjalizimi se ai kishte shenja që tregonin se ishte i droguar. Ndërkohë, me hetimin e ngjarjeve po merret njësia anti-terror. Dhe deri më tani pista më e afërt është pikërisht kjo e terrorizmit./abcnews.al