Begaj takon Papa Françeskun në Selinë e Shenjët në Vatikan, zbardhet biseda

schedule16:25 - 2 Dhjetor, 2022

schedule 16:25 - 2 Dhjetor, 2022

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar këtë të premte me Papa Françeskun në Vatikan.

Takimi i presidentit me Papën vjen në kuadër të vizitës së Begajt në në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Sipas medieve italiane biseda mes Begajt dhe Papa Françeskut zgjati rreth 35 minuta.

“Një takim i përzemërt, i cili më pas pasoi në Sekretariatin e Shtetit, ku u diskutua edhe për integrimin europian të vendit”, shkruan acistampa.

Seanca filloi në orën 9.50 dhe përfundoi në orën 10.25.  Papa Françesku i ka dhuruar presidentit shqiptar një majolikë me statujën e Shën Pjetrit.

Ndërsa Begaj i dhuroi Papa Françeskut një mozaik prej kashte që përshkruan një grua të veshur me rroba tradicionale shqiptare. Në bisedimet në Sekretariatin e Shtetit, Begaj dhe Papa shprehën vlerësimet e tyre për marrëdhëniet e mira ekzistuese dypalëshe dhe synimin për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët. Më tej u theksua kontributi pozitiv i komunitetit katolik në Shqipëri.

Gjithashtu në takimin e presidentit me Begajn fokus ishte integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të vizitës në Selinë e Shenjtë, P Bajram Begaj, zhvilloi  një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

Begaj vlerësoi ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu rolin dhe mbështetjen që Selia e Shenjtë dhe në mënyrë të veçantë Papa Françesku kanë dhënë jo vetëm për rimëkëmbjen shpirtërore të shqiptarëve të besimit katolik, por veçanërisht për lartësimin e historisë dhe të modelit të bashkëjetesës e të harmonisë fetare të shqiptarëve. Begaj e njohu gjithashtu Kardinalin Parolin me vokacionin dhe progresin e Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, angazhimet e saj në kuadër të forcimit të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe kontributin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023.

Duke u ndalur tek çështja e Kosovës, Presidenti Begaj, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira kanonike mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës si dhe shprehu besimin për angazhimin e mëtejshëm të Shtetit të Vatikanit në konsolidimin e paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Me gjithë progresin e bërë, paqja dhe siguria në rajon mbeten ende shumë të brishta, ndaj dhe arritja e një marrëveshje, ligjërisht të zbatueshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte kontributi më i mirë për paqen, stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit” ,nënvizoi Presidenti Begaj.

/abcnews.al/