Begaj pret trupin diplomatik: Integrimi evropian, e vetmja alternativë e Shqipërisë

schedule19:26 - 23 Janar, 2025

schedule 19:26 - 23 Janar, 2025

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në pritjen e përvitshme me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri, përcolli mesazhe për avancimin e integrimit në BE, bashkëpunimin në rajon dhe me partnerët ndërkombëtarë, si dhe forcimin e strukturës Euroatlantike.

Begaj theksoi njëkohësisht përkushtimin në përmbushjen e objektivave kombëtare përmes strategjive të qarta, drejtësisë, dialogut politik dhe gjithëpërfshirjes.

“Është kënaqësi të ritakohemi këtë fillim viti. Çdo takim yni i shërben forcimit të marrëdhënieve midis vendeve tona dhe angazhimit për thellimin e tyre. Vitin që shkoi kam patur rastin të isha i ftuar në disa nga vendet tuaja, si dhe kam mikpritur në Tiranë kryetarë shtetesh, me të cilët kam biseduar dhe diskutuar mbi sfidat e përbashkëta aktuale dhe për të ardhmen. Shqipëria edhe gjatë këtij viti konsolidoi edhe më tej rolin e partnerit të besueshëm në politikën e jashtme, me një rol proaktiv në skenën rajonale, teksa përkatësia evropiane gërshetohet organikisht me partneritetet strategjike. Ne e nisëm tranzicionin në vitin 1990 me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe vitin që lamë pas hodhëm hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian.

Hapja e negociatave është dëshmi jo vetëm e vlerësimit për reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, por edhe tregues i vendosmërisë dhe përkushtimit tonë për të avancuar në këtë proces transformues drejt përkatësisë sonë evropiane. Udhëtimi ynë drejt Evropës së bashkuar nuk është vetëm ambicie politike, por lidhet pazgjidhshmërisht me vlera të shenjta për ne, siç janë: demokracia, të drejtat e njeriut dhe kohezioni social. Bashkimi Evropian mbetet për ne një projekt madhor i paqes, mirëqenies dhe zhvillimit, ndaj ne jemi të angazhuar për kryerjen e reformave të thella, të cilat mbeten prioritet kryesor për të ardhmen e vendit. Integrimi evropian është e vetmja alternativë e Shqipërisë, është zgjedhje e natyrshme e një populli të lashtë, me vlera, kulturë e traditë evropiane dhe përkatësi Euroatlantike. Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, ka mbështetjen më të lartë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky fakt nuk është vetëm tregues i kulturës sonë historike, por edhe tregues besimi, zgjedhjeje dhe ndërgjegjësimi për interesat tona madhore shtetërore e kombëtare.

Shqiptarët janë të bindur se demokracia, integrimi dhe shteti i së drejtës nuk dhurohen, por janë procese thelbësore që kërkojnë bashkëpjesëmarrje, bashkëveprim dhe strategji të qarta për rezultate të prekshme. Rajoni mbetet një përparësi dhe nevojë strategjike për politikën tonë të jashtme. Shqipëria është një aktor i rëndësishëm dhe njëkohësisht përfitues i drejtpërdrejtë i një politike rajonale konstruktive dhe të moderuar për forcimin e paqes, sigurisë, stabilitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal. Shqipëria në veçanti, dhe faktori shqiptar në përgjithësi, do të vijojnë të mbrojnë përkatësinë evropiane, si dhe do të avancojnë kursin Euroatlantik. Shqipëria vijon mbështetjen e pakushtëzuar për Republikën e Kosovës për njohje të reja, për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe për afirmimin e saj në rajon e përtej. Sot, shqiptarët e Kosovës janë zot të fateve dhe trojeve të tyre, çka jep shpresë për një jetë e të ardhme më të mirë.  Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe kudo në Diasporë mbeten në vëmendjen tonë për ruajtjen dhe fuqizimin e identitetit kombëtar dhe garantimin e të drejtave të tyre. Samiti i Procesit të Berlinit dhe Samiti për Agjendën e Rritjes dhe Konvergjencës në Tiranë kanë forcuar angazhimin tonë për një rajon më të integruar e më pranë Evropës.

“, theksoi ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!