Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

Begaj në 75-vjetorin e Aviacionit Ushtarak: Nga transformimi historik te modernizimi sipas standardeve të NATO-s

schedule18:20 - 30 Prill, 2026

schedule 18:20 - 30 Prill, 2026

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e 75-vjetorit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar.

Nga baza e Kuçovës, Presidenti i Republikës nderoi brezat që kanë shërbyer në aviacionin ushtarak dhe Forcën Ajrore ndër vite, nga komandanti i parë Edip Ohri,  si edhe 43 Dëshmorët e  Kombit që dhanë jetën në krye të detyrës, ndërsa theksoi transformimin e aviacionit ushtarak  dhe vlerësoi rrugëtimin që ai ka bërë nga krijimi tij, deri më sot.

“Historia e Forcës Ajrore është histori transformimi. Një transformim që ka ndjekur vetë rrugën e Shqipërisë: nga izolimi, tek integrimi, nga teknologjia e kufizuar, te standardet e Aleancës”,  deklaroi Presidenti Begaj në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie.



Baza e Kuçovës dhe kompletimi me helikopterë Black Hawck shënojnë një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

“Plani i modernizimit të Forcës Ajrore është ambicioz dhe i nevojshëm. Modernizimi i flotës me helikopterë, zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të bazuar në tokë, ngritja e Detashmentit të Avionëve pa Pilotë, plotësimi i sistemit të integruar të vëzhgimit ajror dhe transformimi i bazës si Bazë Taktike Ajrore e NATO-s janë investime me të cilat ne kemi hapur një kapitull të ri. Një kapitull ku Forca Ajrore nuk është vetëm garant i sovranitetit, por është edhe kontribues aktiv në sigurinë kolektive”, theksoi Presidenti i Republikës.

Duke iu referuar sfidave të reja të sigurisë dhe konflikteve ndërkombëtare në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, Presidenti Begaj nënvizoi se mbrojtja kolektive nuk është opsion, por domosdoshmëri.

 “Konteksti gjeopolitik i sotëm kërkon përkushtim, kërkon përgjegjësi, kërkon gatishmëri”, theksoi Kreu i Shtetit, duke rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë në përmbushje të synimit të buxhetit të mbrojtjes deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, sipas vendimit të NATO-s në Samitin e Hagës.

Si President dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Kreu i Shtetit garantoi mbështetjen e fortë dhe të palëkundur ndaj Forcave të Armatosura ku, siç u shpreh: “jo sepse obligohemi nga protokollet, por sepse e dimë me siguri se krenaria dhe siguria jonë kombëtare mbahet dhe ruhet edhe nga siguria jonë ajrore.”

“Efektivëve që shërbejnë sot në Forcën Ajrore, pilotëve, teknikëve, kontrollorëve, meteorologëve dhe çdo ushtaraku e civili të kësaj force u them: ju jeni trashëgimtarët e denjë të 75 viteve histori, keni mbajtur shpirtin e armës ajrore dhe e keni çuar drejt standardeve më të larta”, deklaroi Kreu i Shtetit, duke garantuar se sakrifica e veteranëve nuk ka qenë e kotë. “Ju ndërtuat themelet dhe mbi ato themele ne vijojmë të ndërtojmë”, – përfundoi fjalën Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Presidenti i Republikës ndoqi edhe demostrim të Forcës Ajrore i cili filloi me fluturimin  e dy avionëve F – 16 të NATO-s si edhe Flotës së Helikopterëve të Bazës Ajrore, Farkë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!