BE, rregulla të reja për sistemin informativ dhe kontrollet

schedule18:42 - 12 Qershor, 2018

schedule 18:42 - 12 Qershor, 2018

Bashkimi Europian ka aprovuar rregulla të reja në aspektin e sigurisë së lëvizjes së qytetarëve, për të bërë më efikas sistemin e shkëmbimit të informacionit në zonën Schengen dhe për të luftuar fenomenet kriminale, si trafiku i qënieve njerëzore.

Presidenca bullgare e Bashkimit Europian dhe Parlamenti Evropian kanë aprovuar tri rregullore mbi funksionimin e sistemit informativ të Shengenit (SIS). Këto tre masa përfshijnë ndryshime thelbësore lidhur me shtimin e llojeve të alarmeve të integruara në sistemin Shengen. Ato kanë të bëjnë me kthimin e shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë, kontrollet kufitare, si dhe bashkëpunimin policor dhe gjyqësor për çështjet penale. Konkretisht, në sistemin Shengen shtohet alarmi lidhur me vendimet e kthimit të lëshuara për shtetasit e vendeve të treta që qëndrojnë atje në mënyrë të paligjshme. Këtu përfshihet edhe alarmi për dokumentet e rreme dhe objektet e identifikueshme me vlerë të lartë, si dhe pajisjet kompjuterike. Përveç kësaj, aktivizimi i alarmeve lidhur me ndalimet e hyrjes për shtetasit e vendeve të treta bëhet i detyrueshëm. Integrohet gjithashtu alarmi për individët që janë në proces hetimor, duke lejuar kontrolle specifike dhe marrjen e tyre në pyetje. Një tjetër alarm që i shtohet sistemit Shengen ka të bëjë me gjurmët e gishtërinjve, kopjet e gjurmëve të zbuluara në skenat e krimeve të rënda, ose akteve terroriste, si dhe trajtimin e atyre të personave të dyshuar, të panjohur ose në kërkim. Parashikohet gjithashtu alarmi parandalues për fëmijët në rrezik rrëmbimi nga prindërit, si dhe për personat e pambrojtur të cilëve duhet t’u ndalohet udhëtimi për vetëmbrojtjen e tyre. Komisioni Europian ka konfirmuar përforcimin e masave në nivelin e brendshëm dhe të jashtëm.

Dimitri Avramopoulos, komisioner për migracionin dhe punët e brendshme: «Qytetarët tanë këkojnë zgjidhje efikase dhe të qëndrueshme. Qytetarët tanë duan t’u ofrojnë strehë atyre që kanë nevojë, por për këtë mikpritje duhet të kontribuojnë të gjithë dhe me të nuk duhet abuzuar. Qytetarët tanë duan kufij të jashtëm më të sigurtë dhe më të fortë, por pa cënuar lirinë  e tyre të qarkullimit. Qytetarët tanë duan një Europë më të sigurtë dhe më fleksibël, por duke ruajtur nga ana tjetër hapjen e saj dhe lirinë e saj. Ndaj, ne duhet të vazhdojmë luftojmë në të gjitha frontet, në nivelin e brendshëm dhe të jashtëm. Ne duhet të trajtojmë së pari motivet për të cilat njerëzit braktisin vendin e tyre dhe së dyti të luftojmë më fort rrjetet kriminale të trafiqeve. Vetëm në këtë mënyrë mund të evitojmë incidente si ‘Aquarius’».

Rregulloret paraqesin mundësinë e përdorimit të imazheve të fytyrës për qëllime identifikimi, në veçanti për të siguruar qëndrueshmëri në procedurat e kontrollit kufitar. Gjithashtu, ndryshimet parashikojnë përfshirjen e një profili ADN-je për të lehtësuar identifikimin e personave të pagjetur në rastet kur të dhënat e gjurmëve të gishtave, fotografitë ose imazhet e fytyrës nuk janë në dispozicion, ose nuk janë të përshtatshme për identifikim. Europol do të jetë në gjendje të përdorë bazën e të dhënave të SIS dhe për të shkëmbyer informacione shtesë me shtetet anëtare të BE-së. Ndërkohë që individualisht qeveritë duhet të informojnë Europol për çdo person që kërkohet për një vepër terroriste. Kjo do t’i mundësojë Qendrës Europiane kundër Terrorizmit të kontrollojë nëse ka informacion shtesë kontekstual në bazat e të dhënave të Europol. Agjencia e re kufitare e BE-së dhe rojet bregdetare do të ketë po ashtu qasje në kategoritë e alarmeve të sistemit SIS. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!