“BE pret ngritjen e Kushtetueses”, zëdhënësja e KE për Abc News: Autoritetet të veprojnë pa vonesë

schedule15:56 - 11 Shtator, 2020

schedule 15:56 - 11 Shtator, 2020

Vënien në funksion sa më shpejtë të Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon vetëm ambasadorja amerikane, Yuri Kim, që e ka theksuar disa herë ditët e fundit.

Këtë pritshmëri që e ka edhe Bashkimi Europian. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anna Pisonero në një deklaratë dhënë për ABC NEWS, thotë që autoritet vendase në një kohë sa më të afërt të plotësojnë vakancat, e krijuara që prej marsit të 2018.

“Ne presim finalizimin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese për ta lejuar atë të rifillojë plotësisht funksionet e saj. BE inkurajon autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë me synimin për të rivendosur plotësisht funksionimin e saj.”

Gjykata Kushtetuese, sjell në vëmendje zëdhënësja e Komisionit Europian, është kusht para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Kjo është gjithashtu një kërkesë e konkluzioneve të Këshillit të 25 Marsit 2020 para mbajtjes se konferencës se pare ndërqeveritare. Opinioni i Komisionit të Venecias ofron udhëzimet e nevojshme për autoritetet shqiptare për të përfunduar me shpejtësi emërimet në Gjykatën Kushtetuese.”

Ambasadorja amerikane vetëm një ditë më parë u shpreh për një situatë jo të pranueshme me atë që po ndodh me Kushtetuesen, për një vend që synon anëtarësimin në BE. /abcnews.al/