Bashkimi Europian po pret formimin e qeverisë së re në Prishtinë. Kështu deklaroi Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos në një interviste për Radio Europa e Lirë, duke theksuar se ngritja e shpejtë e institucioneve dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat.
“Ne po presim për formimin e qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë ne favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, ka deklaruar komisionerja e BE për zgjerim.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të përmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato.
Kos nënvizoi se për heqjen e masave sanksionuese nga Kosovës, vënë nën kohën e qeverisë Kurti 2, nuk ka drite jeshile.
“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, u shpreh Kos.
Komisionerja për zgjerim u ndal edhe tek Serbia, e cila, sipas Kos, duhet te kthehet ne rrugën Europiane.
“Fjalët nuk mjaftojnë. E shoh misionin tim ose vizitën time atje si një përpjekje të madhe për ta rikthyer Serbinë në rrugën evropiane. Beogradi duhet te punoj për shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, prokurimet publike apo legjislacioni për mediat. Serbia ka premtuar shumë por tani duhet të kontrollojmë nëse po i zbatojnë ato që kanë premtuar”, ka thënë ajo.
Për Kos në Ballkan Shqipëria dhe Mali i Zi kane bërë një punë të shkëlqyer në avancimin në procesin integrues, ndërsa me lider si presidenti i entitetit të Republikës Serpska është e vështirë të punohet.