BE miraton paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, çfarë përfshin

schedule15:28 - 6 Tetor, 2022

schedule 15:28 - 6 Tetor, 2022

Këshilli Europian ka miratuar paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, si një përgjigje ndaj aneksimit të paligjshëm të katër rajoneve të Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson.

“Paketa përfshin një sërë masash të ashpra që synojnë rritjen e presionit mbi qeverinë dhe ekonominë ruse, duke dobësuar aftësitë ushtarake të Rusisë dhe duke e bërë Kremlinin të paguajë për përshkallëzimin e tij të fundit,” tha këshilli i BE-së në një deklaratë.

Kjo paketë e re sanksionesh kundër Rusisë është dëshmi e vendosmërisë sonë për të ndaluar makinerinë e luftës së Putinit dhe për t’iu përgjigjur përshkallëzimit të tij të fundit, i cili përfshin  referendumet e  rreme dhe aneksimin e paligjshëm të territorit ukrainas.

Ne do të dëmtojmë edhe më shumë ekonominë e Rusisë, do të kufizojmë aftësitë e saj të importit/eksportit dhe jemi në rrugën e duhur për të hequr dorë nga energjia ruse.

Ne po synojmë gjithashtu ata që janë përgjegjës për aneksimin e paligjshëm të territoreve të Ukrainës. BE do të qëndrojë pranë Ukrainës për sa kohë të jetë e nevojshme”, tha përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell.

Paketa e re e sanksioneve përfshin vendosjen e një çmimi tavan në lidhje me transportin e naftës ruse për vendet e treta dhe kufizime të mëtejshme për transportin e naftës papërpunuar dhe produkteve të naftës drejt vendeve të treta.

Për sa i përket tregtisë, BE-ja po zgjeron listën e ndalimit për importet e produkteve të çelikut që janë me origjinë ose eksportohen nga Rusia. Kufizime e mëtejshme të transportit do të përfshijnë, letra, cigare, plastikë dhe produkte kozmetikë, si dhe gurët dhe metalet e çmuara, të cilat së bashku gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme për Rusinë, raporton abcnews.al.

Gjithashtu do të kufizohet shitja, ose eksporti i mallrave shtesë të përdorura në sektorin e aviacionit.

Përveç kësaj, paketa e re përfshin:

Vendosjen e sanksioneve ndaj individëve dhe subjekteve që kanë luajtur rol në organizimin e “referendumeve” të paligjshme, ndaj përfaqësuesve të sektorit të mbrojtjes dhe ndaj personaliteteve të njohura që përhapin dezinformata për luftën.

Këshilli gjithashtu vendosi të përfshijë në listën e sanksioneve personat që ndihmojnë në anashkalimin e sanksioneve të BE-së.

–Artikujt që mund të kontribuojnë në përmirësimin e përformancës ushtarake dhe teknologjike të Rusisë ose zhvillimin e sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.

– Ndalimi i shitjes, furnizimit, transferimit ose eksportit të armëve dhe pjesëve thelbësore të tyre dhe municioneve, automjeteve dhe pajisjeve ushtarake dhe pjesëve rezervë.

– Ndalimi i shtetasve të BE-së që të mbajnë poste në organet drejtuese të disa subjekteve ose organeve juridike shtetërore ose të kontrolluara ruse.

– Ndalimi i plotë i kriptomonedhave, llogarive ose shërbimeve të tilla për personat dhe banorët e Rusisë, pavarësisht nga vlera e tyre totale.

– Ndalimi i ofrimit të shërbimeve arkitekturore dhe inxhinierike, si dhe shërbimeve të konsulencës së IT dhe këshillimit ligjor në Rusi.

Këshilli vendosi gjithashtu që nga sot, shtrirja gjeografike e kufizimeve të paraqitura më 23 shkurt, duke përfshirë në veçanti ndalimin e importit të mallrave nga rajonet Donetsk dhe Luhansk, do të zgjerohet duke përfshirë gjithashtu  rajonet e kontrolluara nga qeveria e rajoneve Zaporizhia dhe Kherson.

Në fund theksohet se aktet ligjore përkatëse do të publikohen së shpejti në Fletoren Zyrtare të BE-së.

/abcnews.al