BE Kosovës: Themeloni Asociacionin. Brukseli thirrje palëve: Zbatoni marrëveshjet e arritura

schedule23:19 - 12 Dhjetor, 2024

schedule 23:19 - 12 Dhjetor, 2024

Bashkimi Europian pritet t’i bëjë thirrje Kosovës që të nisë sa më parë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një dokument të parë nga Radio Evropa e Lirë thuhet se BE u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë pa vonesë marrrëveshjet e arritura nga dialohu dhe detyrimet e tjera, duke u rikujtuar se rrugëtimi europian i dy shteteve varet pikërisht nga këto kushte.

“Këshilli e përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi për zbatimin e saj, të miratuara në shkurt dhe mars 2023, duhet të respektohen dhe zbatohen në tërësi sa më shpejtë që të jetë e mundur pa parakushte, sikurse të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja“, thuhet në këtë dokument.

Po aty Kosovës i këtkohet që sa më shpejt të fillojë punën për miratimin e draft-statutit evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke nisur me miratimin e draft-statutit, të cilin palëve ua ka paraqitur ndërmjetësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja“, thuhet në këtë draft.

Bashkimi europian i dorëzoi Kosovës dhe Serbisë në tetor të vitit 2023  “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia e mbështetën atë.

Prej më shumë se një viti SHBA dhe BE i kanë bërë thirrje vazhdimisht Kosovës ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese këtë draft-statut, por qeveria e Albin Kurtit e ka cilësuar draftin si një “non-paper”.

Sipas zëdhënësit të qeverisë së Kosovës, Kurti nuk e ka pranuar diçka të tillë por BE e ka përgënjeshtruar vazhdimisht duke thënë se si Kurti ashtu dhe Vuçiç e pranuan në parim draft-statutin vitin e kaluar.

Këto qëndrime të Kurtit kanë bërë që Kosova të ndëshkohet me sanksione nga Bashkimi Europian, por ai sërish nuk është tërhequr.

Në dokument thuhet gjithashtu se masat e Kosovës janë në fuqi, por mund të hiqen nëse ndërmerren hapa të duhur për uljen e tensioneve.

BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!