BE konkludon se një në pesë shqiptarë merr oferta në këmbim të votës

schedule20:10 - 27 Nëntor, 2017

schedule 20:10 - 27 Nëntor, 2017

Një raport i shtatorit 2017, i financuar nga Bashkimi Europian, mbi klientelizmin politik në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka nxjerrë si përfundim se shqiptarët përballen me oferta në para, apo forma të tjera, për të shitur votën e tyre. Mbi 20% e shqiptarëve votues janë të prekur nga ky fenomen thuhet në raportin e Institutit per demokraci në Shkup.

Një raport i shtatorit 2017, i financuar nga Bashkimi Europian, mbi aktivitetet informale të partive politike në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, ka dalë në përfundimin se një në pesë shqiptarë, të paktën një herë, u është ofruar diçka në këmbim të votës së tyre.

Ky raport, i ardhur mbase në momentin më të përshtatshëm, nisur nga tema e diskursit politik në vendin tonë, shpjegon edhe nëse këto rezultate kanë efekt real në ditën e zgjedhjeve, duke dhënë një fushëpamje më të prekshme për mënyrën si ndikon klientelizmi në rezultatin elektoral.
Bazuar në shifrat e raportit në fjalë del se mbi 20% e shqiptarëve kanë marrë ofertë në para ose ndere, në këmbim të votës në zgjedhje. Dhe kjo, bazuar në atë ç’ka vetë ata deklarojnë.
Gjashtë janë vendet e marra në studim. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja. Mes këtyre gjashtë vendeve të Ballanit Perëndimor, Shqipëria renditet e dyta e prekur nga ky fenomen.
Për ta kuptuar efektin e klientelizmit në ditën e zgjedhjeve, shifrat janë projektuar mbi ato të numrit më të lartë të votuesve të regjistruar në zgjedhje.

Rezultati?

“Numri i votuesve të cilët deklarojnë se janë vënë në shënjestër të ofertave klienteliste, në Shqipëri e kalon ndjeshëm numrin minimal të votuesve të nevojshëm për të marrë një vend në Parlament”.

Njëkohësisht.

“Numri i qytetarëve të prekur nga ky fenomen i kalon 2/3-tat e votuesve për partinë fituese në zgjedhjet elektorale në Shqipëri”.

Kjo, sipas studimit, minimalisht sugjeron që partitë politike i kushtojnë pjesë të madhe të energjisë, lidhjeve klienteliste për hir të mbështetjes politike.
Si përfundim, raporti përfundon se shkalla e klientelizmit është e mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin elektoral.

Një koment për këtë raport e bëri publik në rrjetin social Facebook kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili i referohej studimit dhe shifrës 20% të votuesve shqiptarë, të cilëve i’u është ofruar diçka në këmbim të votës. Basha i bën sërish thirrje krijimit të një qeverie antimafia e cila i hap rrugën një reforme të mirëfilltë zgjedhore.
Interesante është shifra prej 55% të shqiptarëve, të vetmit në Ballkan të cilët e shohin si pozitive ndërhyrjen e misioneve europiane dhe amerikane në zgjidhjen e problemeve të krijuara mes liderëve të partive politike në vend. Pjesa tjetër e Ballkanit perëndimor, në kundërshtim me vendin tonë, me mbi 60% të qytetarëve nuk e mirëpresin përfshirjen e ndërkombëtarëve në politikat e brendshme./abcnews.al

 

https://youtu.be/5ggfJtCneRQ

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!