Bashkimi Evropian dhe Gjermania kërkojnë përmbylljen e bisedimeve dhe krijimin e koalicionit dhe qeverisë së re në Kosovë. Drejtuesit e misioneve të BE në Kosovë, theksojnë se dy prioritet për qeverinë e re janë: çështjet ekonomike dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë.
Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë,kanë theksuar në një deklaratë të përbashkët nevojën për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe kanë theksuar nevojën që palët të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të kapërcyer sfidat e mbetura.
Ndërkohë, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke kërkuar konstituimin sa më të shpejtë të Parlamentit të Kosovës dhe krijimin sa më të shpejtë të qeverisë, ka theksuar se është e nevojshme që të themelohen institucionet e reja për shkak të çështjeve ekonomike dhe vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.
Në Kosovë ka qëndruar edhe një delegacion e kancelares gjermane Angela Merkel, të cilët janë takuar me me liderin e LVV-së Albin Kurti dhe kreun e LDK-së Isa Mustafa në përpjekje për të ndikuar që të arrihet një marrëveshje midis dy partive politike.
Deputeti Christian Schmidt ka thënë se për një vend i cili sapo ka dalë nga zgjedhjet parlamentare është e rëndësishme që të ketë një qeveri të qëndrueshme dhe të mos ketë lojëra taktike.
Ndërsa deputeti tjetër Peter Beyer ka thënë se marrëveshja midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk duhet të dështojë për shkak të detajeve teknike dhe se palët duhet të kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë që kanë marrë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Ai ka theksuar se 26 dhjetori tashmë është një limit kohor se deri kur mund të arrihet marrëveshja, Beyer ka bërë thirrje që palët të caktojnë një datë të bisedimeve dhe të përfundojnë marrëveshjen e koalicionit.
Deputeti gjerman ka thënë se ata presin që mos të ketë ndërhyrje nga jashtë të cilat kanë për qëllim futjen e përçarjes në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes. Schmidt ka dërguar edhe një mesazh për LDK’në në lidhje me postin e Presidentit duke thënë se “tani për tani nuk është koha që të zgjidhet Presidenti por të formohet qeveria”.
Ndaj kësaj ka reaguar edhe Peter Beyer duke thënë “saktësisht”.