PD reagon për herë të parë lidhur me lajmin për ngritjen e një baze ajrore të NATO-s në Kuçovë. Deputeti Tritan Shehu i kërkoi qeverisë të mos i shohë këto vendime të NATO-s si lajme për t’u krenuar, por të realizojë detyrat që i takojnë një vendi anëtar.
I dha fund heshtjes Partia Demokratike dy ditë pasi Kryeministri Edi Rama dha lajmin se NATO do të ndërtojë në Kuçovë bazën ajrore.
E ashtu siç kreu i qeverisë njoftoi shqiptarët nëpërmjet rrjeteve sociale edhe demokratët nga faqja e deputetit Tritan Shehut në facebook zyrtarizuan reagimin e tyre.
“Çdo rritje e prezencës së NATO-s në Shqipëri, është thellësisht e dëshiruar, stimuluar dhe mirëpritur nga ne; kjo është e “shkruar edhe në genet” tona”.
Me këto fjalë deputeti demokrat i jep përgjigje çdo mjegullnaje dyshimi rreth qëndrimit opozitar për “mundësinë e zgjerimit të prezencës së NATO-s në vendin tonë.
Madje ai rendit rrugëtimin e Shqipërisë drejt NATO-s , sipas të cilit pjesa më e madhe lidhet me Partinë Demokratike.
Kjo marrëdhënie nis që dy muaj pas formimit të qeverisë demokrate në qershor të vitit 1992 me aplikimin dhe pranimin në Këshillin e Bashkepunimit të Atlantikut të Veriut. E vazhdon deri në Samitin e 2 prillit 2009, kur u anëtarësua përfundimisht në NATO –shkruan deputeti Tritan Shehu.
Por sot si anëtare e NATO-s Shqipërisë i duhet të përmbushë detyrimet ndaj kësaj aleance të cilat janë ende shumë larg asaj që kërkohet nga një vend anëtar.Në këtë përfundim ka arritur deputeti i Partisë Demokratike duke e lënë për në fund reagimin ndaj statusit të kryeministrit Rama në Facebook.
“Pra është më e dobishme që kjo Qeveri të përpiqet të realizojë “detyrat e shtëpisë” e të mos përdori vendime të mundshme pozitive të NATO-s ndaj nesh e Rajonit, si “fishekzjarre” politike për kamufluar realitetin tonë të brendshëm”. /abcnews.al