Baza e NATO-s në Kuçovë hapet këtë të hënë/ Rama: Dronët “Bayraktar” do bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes

schedule08:10 - 4 Mars, 2024

schedule 08:10 - 4 Mars, 2024

KUÇOVË- Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do të hapet këtë të hënë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me një postim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ka ndarë një video nga momenti i montimit të dronëve “Bayraktar”, të cilët siç thotë ai do të bëjnë flurimin e parë në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore.

“Mirëmëngjesi dhe me disa momente nga montimi i dronëve Bayraktar, që do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Lajmin për hapjen e bazës ajrore e NATO-s në Kuçovë e dha sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 15 shkurt.


Programi për inaugurimin e bazës së NATO-s është i ngjeshur. Po ashtu në këtë inaugurim do të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit shqiptar si presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit, si dhe përfaqësues të aleancës së NATO-s. Gjatë ceremonisë do të ketë spektakël në ajër të fluturimit të avionëve.

Punimet për transformimin e bazës së NATO-s në Kuçovë nisën në janar të vitit 2022. Investimi kap vlerën rreth 50 milionë euro përfshin rindërtimin e depove të armatimit, të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit./n.m.abcnews.al