Baza e NATO-s në Kuçovë, Rama: Do zbatohen 5 projekte, synojmë që “Defender” të zhvillohet çdo 2 vite

schedule11:51 - 20 Janar, 2022

schedule 11:51 - 20 Janar, 2022

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë ceremonisë për nisjen e punimeve në bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë se do të zbatohen 5 projekte të ndarë në tre paketa ndërsa përfitimin nga ky investim e cilësoi si të ardhur nga qielli për Kuçovën.

“Kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut është shumë e rëndësishme të ruhet paqja dhe prosperiteti. Këto janë fjalë të gjeneralit të forcave ajrore të gjeneralit të SHBA në një vlerësim të bërë prej tij mbi rëndësinë e pozicionit strategjik të vendit tonë si pikë ndikuese në rajon dhe Europë gjatë një dokumentari të NATO-s për bazën e Kuçovës. Vendimi i NATO-s për të përzgjedhur këtë hapësirë konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë aleancë e cila bashkon së bashku disa shtete.

Lajmi për këtë vendimmarrje të NATO-s ishte shumë i mirëseardhur sepse jo vetëm krijonte një vlerë të re në infrastrukturën e Mbrojtjes por përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar pozicionin tonë strategjik dhe pozitën tonë në NATO në aspektin politik dhe ushtarak. Jemi të vetëdijshëm për përmasën e vendit tonë dhe volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera por edhe falë punës së përbashkët që e ka çuar bashkëpunimin me SHBA në një nivel tjetër.

Dhe falë mbështetjes që po gjejmë nga SHBA dhe strukturat e mbrojtjes nga SHBA, po vetëdijësohemi se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe të rritjes së cilësisë së forcave tona ushtarake mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n edhe me projekte të tjera. Po shohim të realizuar një projekt që kur erdhi në fillim ishte i pabesueshëm për shumëkënd. Mbaj mend sa shumë është përqeshur dhe sa shumë është ndjekur ky proces nga komente dhe opinione sipas të cilave ky moment nuk do të ndodhte kurrë që Kuçova të kthehej në bazë ajrore ku do zbatohen 5 projekte të ndara në tre paketa. Zona e Kuçovës do ketë një përfitim si të ardhur nga qielli”, tha Rama.

Ai deklaroi se synohet që stërvitja Defender që u zhvillua në vitin 2021 të mbahet çdo dy vjet për të lidhur bashkë vendet e rajonit me forcat e armatosura të NATO-s.

“Ne sot bashkë me qeverinë e SHBA përmes angazhimit dhe këtë unë e them sepse është e vërtetë. Falë angazhimit të drejtpërdrejtë të ambasadores dhe strukturave përkatëse në anën tjetër të oqeanit jemi duke për një projekt që ka të bëjë me krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes jo vetëm për Shqipërinë. Dua ta mbyll aty ku shefi i shtabit nënvizoi një element që në këndvështrimin tim është fillesa e një filli që i lidh të gjitha bashkë.

Stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s në këtë pjesë të botës por edhe nga e cila ne kemi mësuar gjëra të rëndësishme për t’u përmirësuar më tutje. Jemi në pozicion të favorshëm për ta kthyer këtu këtë stërvitje edhe në vitin 2023. Ambicia jonë është që kjo stërvitje të jetë një fill që lidh çdo dy vjet vendet me forcat e Armatosura të NATO-s. Kemi shumë për të marrë akoma nga e ardhmja në kuptimin e zhvillimit dhe forcimit të pozicionit tonë. Në kuptimin e pasjes së një rëndësie por është e rëndësishme edhe sepse na jep mundësinë të mësojmë nga më të mirët”, deklaroi ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!