Në mesjavë u tha se Europës i ka hyrë frika.
Këtë fundjavë u kuptua edhe më mirë se kontinenti ka të drejtë të trembet nga Bajerni, ndërsa “treni I blinduar” bavareze kaloi furishëm në stacionin e quajtur “Mynshengladbah”.
Borusia vendase u shkatërrua 3-0, në një ndeshje që nuk mund të ishte më shumë e njëanshme se kaq.
Dëgjoni statistikat: Bavarezët gjuajtën 27 herë, Gladbahu vetëm njëherë, miqtë patën 13 goditje në kuadrat, Borusia asnjë, ndërsa kornet ishin 8-1, pasimet 800 me 100 dhe zotërimi I topit 83 me 17 për qind.
Golat u shënuan nga Kimih, Gerrero dhe sërish I riu Lenart Karl, ndonëse ndikoi shumë kartoni I kuq I 19’ për Kastropin e vendasve.
Kampionët rekord festuan fitoren e tyre të 13-të në 13 ndeshje zyrtare në këtë sezon, një sukses i arritur më parë vetëm nga Milan në një nga 5 ligat kryesore të Evropës në 1992-1993.
Tetë fitore në 8 ndeshje në Bundesligë, 3 fitore në tri ndeshje në Champions, e fundit 4-0 ndaj Bryzhit kur shënoi sërish adoleshenti, Karl.
Një fitore në një ndeshje në Superkupë dhe një fitore në një ndeshje në Kupën e Gjermanisë.
Jo vetëm kaq.
Revista “Kiker” shkruan se Bajerni vrapoi 118.7 km në Gladbah, dhe meritën ia jep trajnerit Vinsent Kompani që ka marrë në punë një përgatitës të ri atletik.
Në Bundesligë këtë sezon, vetëm Sankt Pauli ua kalon bavarezëve për kilometrat e vrapuar.
Stili i ri I lojës, tepër intensiv, po jep rezultat./abcnews.al


