Saul Niguez dëshiron të largohet nga Atletico Madrid. Kjo raportohet nga edicioni i sotëm i prestigjiozes AS, sipas të cilit mesfushori spanjoll po konsideron pranimin e një oferte shumë tërheqëse nga Bayern Munchen për sezonin e ardhshëm.
Ylli 26-vjeçar ka humbur në mënyrë progresive protagonizmin dhe vendin e titullarit nën urdhrat e Diego Simeone dhe për këtë arsye do të ishte gati të ndryshonte ambient në verë, pas Kampionatit Europian.
Për të bindur kryesuesit e La Liga që ta lënë të lirë, sipas të njëjtit burim, bavarezët do të duhet të paraqesin një propozim midis 35 dhe 50 milion eurove, e shoqëruar nga këmbëngulja e Niguez, që është një ndër më të mirët në pozicionin e tij. /abcnews.al