Bashkia e Fushë-Krujës pa bilanc për dëmtimet në banesa, banorët: Po na vdesin fëmijët në çadra

schedule15:24 - 14 Shkurt, 2020

schedule 15:24 - 14 Shkurt, 2020

Kanë plotësuar çdo dokument që i është kërkuar, duke iu përshtatur dhe procedurave online që për ta nuk janë aq të njohura, por në fund në sistem shtëpitë u rezultojnë të banueshme. Në Fushë -Krujë dhe Mamurras, banorët e mbetur pa strehë prej tërmetit të 26 nëntorit, shkojnë nga sporteli në sportel për aplikime, për të përfituar atë që ju takon me vendim qeverie -rindërtimin e shtëpive të shembura.

“Problemi ynë është se ne shkojmë të aplikojmë online dhe neve nuk na dalin banesat në sistem. Inxhineri shtëpitë tona i ka nxjerrë të pabanueshme, bashkia thotë janë të banueshme. Tani ne i kemi bërë letrat për aplikimin online, kemi bërë dhe për bonus qiraje dhe asnjë përgjigje. Kanë një muaj që na sorrollasin për këto letra dhe asnjë lloj përgjigje”.

“Do vijë një tjetër grup verifikimi, na thanë dhe asnjë nuk po vjen. Jam me fëmijë të sëmurë”.

“Kanë dal shtëpitë e banueshme. Jam veti 8 dhe po rrimë në një çadër. Ju lutem shtetit të vejë dorë në familjen tonë se po i çojmë nëpër spitale”.

Ata i kujtojnë kryeministrit premtimin e dhënë publikisht menjëherë pas tërmetit.

“Kryemimistri të vijë. Ne me kushte të këqija kemi qenë, tërmeti na bëri më keq. Rrezikojmë jetën e fëmijëve, janë duke na vdek fëmijët në çadra”.

Edhe në Mamurras, autoritetet lokale nuk  japin zgjidhje.

“Në atë familje janë 9 veta, nëse shteti do të bëjë shtëpi në bazë të frymëve, jemi shumë pak. Po na sorollasin, shteti duhet ti kishte marrë masat. Ne jemi të ndarë. Aplikimi bëhet në bazë të kryefamiljarit, ndërsa ai ka vetëm tre, po të tjerët”. 

Aplikimet për procesin e rindërtimit mbyllen më 28 shkurt. Që të përfitojnë qytetarët e prekur nga tërmeti duhet të paraqesin: certifikatën e pronësisë, fotokopje të kartës së identitetit, çertifikatë familjare si dhe një kopje të akt-konstatimit të banesës së dëmtuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!