Basha: Zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale

schedule11:15 - 7 Gusht, 2019

schedule 11:15 - 7 Gusht, 2019

“Pranga për politikanët që vodhën zgjedhjet me krimin, qeveri tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale”, kështu u shpreh Basha nga Divjaka.

Kreu i opozitës theksoi nga Divjaka se nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, 30 qershori është një proces nul dhe kriminal.

“Një proces që është nul dhe kriminal nuk mund të prodhojë asgjë të ligjshme. Shumica dërrmuese e refuzoi dhe shumë nga ata që detyroi me forcë, iu përgjigjën duke i bërë votat të pavlefshme. Vlora 14%, Berati 14%, Durrësi 13.5%, Korça 14%, Shkodra 6%. Refuzimi popullor ka qenë plebishitar. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonje pushteti ne keto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramës”, theksoi zoti Basha.

Përsa i përket mënyrës sesi zgjidhet kriza politike, lideri i opozitës ishte shumë i qartë.

“Kjo krizë nuk mbyllet me pazar. Kriza zgjidhet me parime. Parimi i parë është “prangat për ata politikanë që kanë vjedhur votat”. Për këtë duhet drejtësi e pavarur, por drejtësi me Ramën kryeministër nuk ka për të patur”,  vuri në dukje zoti Basha, i cili u shpreh i vendosur për ta çuar betejën deri në fund.

“Nuk ka kthim pas. Nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramën, me njeriun që vjedh zgjedhjet. Zgjedhje të lira me Hajdutin Psiqik nuk ka. Synimi ynë është largimi i tij, është qeveria tranzitore, është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme. Do të vazhdojmë aksionin politik, do të vazhdojmë protestat, nuk do të pranojmë kurrë dhunën shtetërore dhe uzurpimin e dhunshëm të pushtetit”,- theksoi kreu i opozitës në takimin me demokratët e Divjakës.

Pjesë e aksionit opozitar do të jetë edhe shpalosja e alternativës, bashkë me njerezit, në mënyrë që, siç u shpreh kreu i opozitës “shumicën Rama ik, shumicën që kërkon ndryshim, ta kthejmë në një mazhorancë qeverisëse”.

Basha tha se shqiptarët e kërkojnë ndryshimin, sepse gjendja ekonomike nuk ka qenë kaq e rëndë në dy dekada, për shkak të projektit të Edi Ramës për grabitjen e vendit.

“Rama dhe banda e tij prej gjashtë vitesh kanë vetëm një projekt, vjedhjen dhe grabitjen e pasurive të shqiptarëve, të taksave dhe pasurive publike të vendit. Oligarkia dhe monopolet kanë shkatërruar tregun. Çmimi më i lartë i energjisë dhe naftës, papunësia e lartë, falimentimi është shtrire kudo”, tha zoti Basha.

Kreu i opozitës përmendi të dhëna konkrete të abuzimit nga qeveria me paratë publike. “Ndërkohë që shqiptarët nuk kanë lekë të hanë, Hajduti Psiqik harxhon paratë e tyre për qejfe dhe luks. Vetëm për udhëtime, hotele dhe gostira qeveritare, ka harxhuar 2,7 miliard leke ose 2,3 milion euro. Transaksionet e thesarit lidhur me rikonstruksionin e godinës së Kryeministrisë, për të cilat nuk eshte zhvilluar asnjë tender janë 3,8 miliard lekë ose 3,2 milion euro. 5,5 milion euro ka shpenzuar Hajduti Psiqik vetëm për luks dhe zyrën e tij. Ndërkohë që nuk jep asnjë lek subvencion për fermerët, prodhimet tuaja kalben dhe hidhen në kanal, tregjet i kontrollojnë klientët e Hajdutit Psiqik dhe fermerët zhyten në varfëri, borxhe dhe pasiguri”,  u shpreh kreu i opozitës, duke identifikuar Edi Ramën si shkaktarin e krizës ekonomike të vendit.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, vlerësoi se rikthimi i besimit tek opozita me betejën e saj për zgjedhjet e lira e të ndershme është arritja kryesore e PD dhe e aleatëve të saj. “Djegia e mandateve bindi qytetarët se opozita nuk po e bën këtë betejë për vete, për karriket, për imunitetet, për privilegjet e veta. Përkundrazi, i sakrifikoi të gjutha këto dhe u rreshtua në krah të njerëzve në betejën për të pasur një qeveri nga njerëzit, për njerëzit dhe të njerëzve”, u shpreh zoti Basha në një takim me strukturat e PD në Divjakë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!