Basha: Vendimi i Kolegjit Zgjedhor makinacion i Edi Ramës

schedule21:28 - 24 Qershor, 2019

schedule 21:28 - 24 Qershor, 2019

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se vendimi i Kolegjit zgjedhor dihej prej ditësh, si një makinacion i kryeministrit për t’i dhënë legjitimitet 30 qershorit. Përkundër deklaratave të shefit të mazhorancës, Basha përsërit se nuk do ketë zgjedhje më 30 qershor, e as luftë mes shqiptarëve.

Thotë se vendimi i kolegjit zgjedhor dihej prej ditësh, si një makinacion i kryeministrit në funksion të asaj që e quan farsë zgjedhore, pasi vetëm gjykata kushtetuese sipas tij mund të shprehet për dekretin e presidentit të republikës.

“Vendimi i sotëm kishte disa ditë që dihej si fakt i kryer në rrethet politike dhe mediatike të Tiranës. Është e gjitha një histori makinacioni, e përgatitur në çdo detaj nga Edi Rama. Me një skenar të trashë, u sajua një kërkesë fals, nga një parti fals, në bazë të së cilës kolegji zgjedhor shpalli një vendim të parapërgatitur nga Edi Rama, për ta shitur edhe jashtë vetë objektit të vendimit. Lehtësia me të cilën ndodhi e gjitha kjo, përpara syve dhe vëmendjes së të gjithë shqiptarëve, tregon jo vetëm kontrollin e plotë që Edi Rama gëzon mbi drejtësinë, dhe mbi çdo institucion të vendit por edhe shpërfilljen totale që ai ka ndaj ligjit, institucioneve dhe demokracisë”.

Vendimi i kolegjit sipas kryetarit të opozitës provoi edhe njëherë se vendimi për të mos hyrë në zgjedhje farsë ishte i duhuri. Basha përsëriti dy kushtet e opozitës pa të cilat tha se opozita nuk do i kthehet asnjë procesi politik: Daljen para drejtësisë të atyre që kanë vjedhur zgjedhjet dhe largimin e Ramës  nga kryeministër. Vazhdon të insistojë se zgjedhje nuk do ketë më 30 qershor.

“Sa i përket 30 qershorit, plani i Edi Ramës për destabilizm dhe luftë mes shqiptarëve, do të dështojë. Shqiptarët janë bërë bashkë si kurrë më parë në mbrojtje të demokracisë për të mos lejuar farsën elektorale dhe krimin kushtetues të regjimit autokratiko-kriminal. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit të Edi Ramës”.

E mbylli me ftesën për shqiptarët që të jenë të bashkuar në këtë betejë për të ardhmen e fëmijëve e të gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë si gjithë Evropa./ABC News Albania 24/7