Ora 17:00 i gjeti në rrugë. Banorët, shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Re, si çdo ditë prej disa javësh tashmë, dolën në protestë. Në mbështetje të tyre edhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha dhe deputetë të grupit të tij parlamentar. Në 17 e 5 minuta, pavarësisht irritimit të ndonjë shoferi, rruga u bllokua nga të dy krahët dhe protesta vijoi. Për kryedemokratin, ajo që quan mega-aferë, është dy herë vjedhje e shqiptarëve.
“Së pari kemi të bëjmë me një dëmtim të interest të qytetarëve, taksapaguesve shqiptarë. Janë paratë e shqiptarëve që po vidhen, nuk janë vetëm paratë e qytetarëve që po protestojnë këtu. Vjedhja e dytë që po bëhet, është nxjerrja para festive të fundvitit, në mes të katër rrugëve e mijëra familjeve, mijëra vogëlushve, vetëm e vetëm që të mbushet me para thesi i Agait të Surrelit. Tani ja ku jemi siç e thatë vetë, po mbushen pothuajse katër javë këtu, dhe ne jemi e do të jemi në krah të qytetarëve. Nuk I braktisim, nuk i lëmë vetëm. Ka një padi nga banorët. Heshtja e prokurorisë tregon se është një prokurori e kapur dhe e bërë palë me vjedhjen. Ky është një fakt shumë tronditës. Mund të isha cinik dhe të thoja: Çfarë pret nga një prokurori që është bërë palë me krimin?! Por duhet ta themi dhe duhet ta thoni: Duhet të ja vini këta mikrofona Arta Markut, çdo prokurori dhe ti thoni: Pse nuk reagoni. Nuk del ajo?! Kushtdo që del nga dera e prokurorisë ta pyesni: Çfarë po bëni me kallzimin e banorëve? Pse nuk veproni? Pse nuk zbatoni ligjin”, theksoi Basha.
Pjesë e këtij hetimi duhet të jenë edhe ata që po i ushtrojnë presion banorëve, thekson Basha.
“Banorët ankohen vazhdimisht se njerëz me profil kriminal, bredhin derë më derë për të ju bërë presion apo për ti joshur që të lënë banesat e tyre. Por, siç e shikoni, nuk ia kanë dalë dhe ne do të jemi në krahun e tyre ditën dhe natën, në çdo moment. Ka vetëm një zgjidhje: Anulimi I këtij projekti korruptiv, hetimi i tij dhe çuarja para drejtësisë e atyre që kanë shkelur ligjin, kanë shkelur të gjitha ligjet e vendit dhe atyre të cilët kanë ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike mbi banorët”, tha Basha.
Kreu i selisë blu theksoi se Partia Demokratike do të vijojë mbështetjen e protestës së banorëve./abcnews.al