Basha takon 5 ambasadorë të BE

schedule17:33 - 21 Dhjetor, 2017

schedule 17:33 - 21 Dhjetor, 2017

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim informues me pesë ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian, me të cilët ka konsumuar diskutimin mbi qëndrimin e opozitës, sa i përket zgjedhjes së Prokurores së përgjithshme të përkohshme. Basha u tha se kompromisi dhe interesat pragmatike, nuk mund të ndryshojnë këtë qëndrim të demokratëve.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me ambasadorët e 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, më përkatësisht Gjermanisë, Francës, Austrisë, Italisë dhe Greqisë për ti njohur nga afër me qëndrimin e Partisë demokratike, sa i përket zgjedhjes së Prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.

Në takimin e mbajtur në selinë blu kryedemokrati njohu përfaqësuesit diplomatikë me hapat konkretë të ndërmarrë nga qeveria, që për Lulzim Bashën çuan në një puç kushtetues.

Mosngritja e Këshillit të lartë të prokurorisë, marrja e kompetencave të KLP-së nga Parlamenti dhe zgjedhja e Prokurorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash në parlament dhe pa Vetting janë tre hapa flagrantë në shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë, theksoi Basha për ambasadorët.
Kjo antikushtetutshmërie procesit, tha ai, fut sistemin e drejtësisë në krizë, shkatërron procesin politik dhe prodhon destabilitet,

Lulzim Basha shprehu bindjen se këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe planifikuara, në mënyrë që Kryeprokurori të manovrohet në shkatërrimin e hetimeve për dosje kriminale të politikanëve të lidhur me krimin.

Kryetari demokrat theksoi se procesi i integrimit është mbështetur me fakte nga Partia Demokratike dhe se sot ky proces është plotësisht në dorën e qeverisë, e cila duhet të përmbushë 5 prioritetet, të cilat nuk varen aspak nga opozita.

Interesat e shqiptarëve dhe atyre të Bashkimit Europian sipas tij, janë në dënimin dhe jo mundësimin e veprimtarive kriminale dhe të turpshme si kthimi i vendit në hambar droge apo tolerimi i lidhjeve të qeverisë me kriminelët, për të cilët edhe kërkojnë drejtësi.

Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim – përfundoi Lulzim Basha./abcnews.al