Nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën. Është kjo përgjigja që i jep kryeministrit Edi Rama kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në një takim me qytetarë të Fierit, kreu demokrat nënvizoi se beteja e opozitës do të shërbejë edhe si një leksion për popujt e Ballkanit.
Mazhoranca do të hyjë në zgjedhje me ose pa opoziën që ka djegur mandatet e deputetëve. Deklaratave të kryeministrit Edi Rama i është kundërpërgjigjigjur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Banda në pushtet e Edi Ramës që ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik, sot qëndron si kërcënimi më i madh për sigurinë e njerëzve, si shkaktari numër 1 i varfërisë, mjerimit, braktisjes së vendit. Edi Rama dhe banda e tij e dinë fare mirë se zgjedhje palo-zgjedhje, zgjedhje fallco pa opozitën nuk ka për të pasur. Kauza e çlirimit të Shqipërisë nga banda e Edi Ramës është përqafuar nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, që i janë bashkuar thirrjes, kushtrimit dhe emergjencës kombëtare “Rama ik”.
Sipas liderit të opozitës është bashkëpunimi i qeverisë me krimin shkaku që Shqipërisë i kanë mbyllur derën e Europës për 6 vjet me rradhë, duke u kthyer në kërcënimin më të madh për shqiptarët. Veprimet e opozitës që drejton I shërbejnë si leksion edhe popujve të Ballkanit u tha ai.
“Prandaj beteja jonë është e vetmja betejë për stabilitet të vërtetë dhe është një leksion për popujt e tjerë të Ballkanit, se ky vend edhe njëherë, do t’i prijë integrimit evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke pranuar, imponuar dhe zbatuar asgjë më pak se standartet evropiane për qytetarët tanë dhe vendin tonë.”
Në takimin që zhvilloi në Fier kryedemokrati Basha tha se është përgjegjësi e PD t’i udhëheqë shqiptarët për realizimin e projektit që transformon Shqipërinë nga një vend bazë operacionale për krimin e organizuar, siç e quan Departamenti i Shtetit, në një vend që siguron mundësi dhe mirëqenie për qytetarët e saj.
“Kjo është arsyeja se pse të gjitha matjet dhe studimet e opinionit publik tregojnë sot, se ne, jo vetëm jemi forca e parë politike në vend, por gëzojmë besimin e shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm për të kaluar këtë krizë, por për t’iu përgjigjur kësaj krize me një transformim kaq të thellë politik dhe ekonomik, saqë të pamundësojmë sot e përgjithmonë, që fati i vogëlushëve shqiptarë, fati i studentëve shqiptarë, fati i të punësuarve që kanë frikë për sigurinë e punës, fati i të papunësuarve që enden rrugëve në kërkim të punës, fati i pensionistëve, i prindërve tanë, kurrë më të mos bjerë në duart e një njeriu të korruptuar apo një pale të korruptuar si kjo, e organizatës kriminale të Rilindjes.”
Për ta ndryshuar sa më shpejt këtë realitet, Lulzim Basha, tha se bashkimi me protestën e 13 Prillit është vendimi i duhur për çdo qytetar që e do Shqipërinë si gjithë Europa. /abcnews.al