Në lidhje me sulmin me armë në banesë ndaj gazetares Klodiana Lala ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim basha. Në një deklaratë për mediat nga selia blu Basha theksoi se sulmi ndaj gazetares Klodiana Lala erdhi pasi zbuloi lidhjet e ngushta të deputetit të PS-së Jurgis Çyrbja me bandën e Shullazit.
Njoftoi për një dalje të rëndësishme para mediave. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka të qartë mesazhin që dhanë plumbat në banesën e gazetares Klodiana Lala.
“Kush shqetëson qeverinë e ka fundin e shpejtë”.
Kreu demokrat shprehu mbështetjen e tij dhe Partisë Demokratike për çdo gazetar të papërkulur nga krimi, të pablerë nga kjo qeveri që sipas Lulzim Bashës prej 5 vjetësh, nuk u shërben qytetarëve, por bashkëqeveris me krimin.
“Sulmi me armë ndaj gazetarës Klodiana Lala, e cila së fundmi nxori në dritë lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit, janë tregues se krimi ndjehet i paprekshëm”.
Mesazhin e kryeministrit Edi Rama drejtuar gazetares Lala e krahasoi me lotët e krokodilit. Prandaj i kërkoi të nxitojë në gjetjen e autorëve e njëherazi edhe e paralajmëroi.
“Edi Rama, do të mbash vetë përgjegjësi, nëse gazetares Klodiana Lala i preket qoftë edhe një fije floku nga horrat e krimit që ke nën urdhrat e tua”./abcnews.al