Basha: PD gati platformën për kthimin e parave të vjedhura, askush nuk do të shpëtojë

schedule11:43 - 19 Korrik, 2019

schedule 11:43 - 19 Korrik, 2019

Politikanët me pranga në duar do të jenë lajtmotivi i qeverisjes së Partisë Demokratike. Kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaron se nuk do të lejojnë fuqizimin e mëtejshëm të krimit që sipas tij po kap ekonominë dhe politikën duke çuar në destabilizimin total të vendit. Kjo do të ndodhë që ditën e parë të qeverisjes nga opozita e sotme.

“Ne do të ndërmarrim një operacion të gjerë, të paparë  ndonjëherë me shtrirje nga Shqipëria në vendet e tjera për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë”, tha Basha.

Ky operacion bën të ditur Lulzim Basha do të përfshijë krijimin e një kuadri ligjor radikal kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, e hetimin dhe ndëshkimin e gjithë veprimtarisë kriminale të qeverisë në fushën e prokurimeve dhe licensimeve publike. Çdo kontratë koncesionare, çdo kontratë shtetërore do të konsiderohet si vepër e mundshme kriminale dhe do të hetohet pa asnjë përjashtim- paralajmëron kreu demokrat.

“Çdo ent dhe kompani private, çdo person privat e publik i përfshirë në hartimin dhe miratimin e këtyre kontratave , nga juristët e thjeshtë deri tek kryeministri do ti hetohet pasuria dhe të ardhurat pas asnjë përjashtim në Shqipëri dhe kudo që ti ketë”, deklaroi ai.

Hetimi do të përqendrohet tek gjurmimi dhe zbulimi i origjinës së parave të përdorura e do të zbulojë destinacionin e parave të marra nga buxheti.  Ky proces hetimor do të përfshijë pasurinë e të gjithë ish zyrtarëve dhe zyrtarëve të tanishëm.

“Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare në Qipro, në Singapor apo në ishujt Kajman dhe kudo, paratë që kanë përfunduar në vila në Romë dhe në Nju Jork do të zbulohen dhe do tu kthehen shqiptarëve”, tha kryedemokrati.

Për t’ia arritur qëllimit kryetari i Partisë Demokratike bën me dije se kanë marrë ekspertizë të huaj të specializuar për hartimin e një programi të posaçëm për hetimin dhe rikuperimin e pasurive të tjetërsuara dhe të vjedhura të shqiptarëve.

“Ne jemi në kontakt me agjencitë kryesore në botë për luftën kundër krimit ndërkombëtar nga Europoli tek agjencitë britanike, hollandeze, gjermane dhe amerikane. Të gjitha janë shumë të gatshme të ndihmojnë”, deklaroi Basha.

Ndërkohë Partia Demokratike po harton një ligj që synon të parandalojë  investimin e parave të krimit në ekonomi dhe një tjetër për përgjegjësinë civile të personave privatë dhe bizneseve për dëmet nga korrupsioni. Nuk do të jenë më qytetarët ata që do paguajnë dëmet që i shkaktojnë buxhetit të shtetit zyrtarët e lartë por vetë këta të fundit. Një paketë e tërë ligjore po hartohet edhe për deklarimin dhe kontrollin e aseteve të politikanëve  dhe  punonjësve publikë.

“Politikanët dhe punonjësit publikë nuk do të mundin të blejnë dot as një kostum e më vila dhe makina të shtrenjta apo shkollime jashtë vendit për fëmijët e tyre pa u hetuar për burimin e parave”, theksoi ai.

Burimi i të gjitha këtyre ndërmarrjeve ligjore është lidhja e krimit me qeverinë e sotme deklaroi Lulzim Basha duke premtuar se fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!