Basha pas takimit me eurodeputetët: Zgjidhja është largimi i Ramës

schedule17:45 - 27 Shkurt, 2019

schedule 17:45 - 27 Shkurt, 2019

Të parët që mbërritën në zyrat e delegacionit të Bashkimit Europian për të takuar të dërguarit e Parlamentit Europian në Tiranë ishin kryetarët e partive opozitare. Takimi me ta zgjati përtej orarit të parashikuar, ndërsa shefi i selisë blu Lulzim Basha doli para gazetarëve i pashqetësuar.

“Unë jam me shumë besim se këtë proces opozita, bashkë me qytetarët, do ta çojnë në fund. Kur them bashkë me qytetarët, kam parasysh, jo vetëm ata që na mbështesin ne dhe na votojnë ne, por edhe socialistët e ndershëm, që u ka ardhur në majë të hundës zgjedha e krimit të organizuar në institucionet shtetërore dhe brenda partisë së tyre”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike tregoi se i ka folur hapur eurodeputetëve nga të gjithë grupet paralamentare pasi sipas tij, ata janë të dezinformuar për atë që ndodh në Shqipëri.

T’u shpjegonim atyre gjendjen ku ndodhet vendi dhe sesi opozitës, si përfaqësuese e interesit publik, nuk i është lënë asnjë mundësi tjetër ose të bëhet fasadë e një qeverie të bërë njësh me krimin e organizuar dhe oligarkinë, që vjedh dhe dhunon shqiptarët, ose t’u tregojë shqiptarëve dhe botës mbarë se ky sistem ka rënë dhe të tregojë rrugën politike për të dalë nga kjo krizë”, tha ai.

Shefi i opozitës Basha mohoi që mes tij dhe kryeministrit Rama të ketë bisedime për të nxjerrë vendin nga kriza.

Nuk ka asnjë komunikim midis meje dhe Edi Ramës. Komunikimi i vetëm është ai i qytetarëve shqiptarë, vendimi i vetëm është ai që kanë diktuar qytetarët shqiptarë”, u shpreh kreu i demokratëve.

Rruga politike për të nxjerrë vendin nga kriza përsëriti Basha është qeveria tranzitore dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

Kjo, natyrisht, nuk mund të ndodhë si një përpjekje fasadë, siç është përpjekja për të arrestuar Gjush Dakon sa për sy e faqe, por duhet të ndodhë, duke treguar para shqiptarëve një reflektim të thellë, i cili vjen me një akt të ndarjes së Partisë Socialiste nga krimi dhe tutela kriminale e përfaqësuar nga Edi Rama”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike beson se ndërkombëtarët do ta kuptojnë se e para është demokracia pastaj stabiliteti.

“Hap pas hapi do ta kuptojnë se përqasja e stabilitetit mbi demokracinë ka çuar në një dështim total, se humbet në radhë të parë demokracia e pastaj edhe stabiliteti. Jo vetëm kaq, por, pastaj, autokratët e korruptuar dhe të inkriminuar si Edi Rama nuk mjaftohen me stabilitetin e vendit, që e kanë bërë copë e çikë, por fillojnë e japin mend edhe për stabilitetin e rajonit, duke përqafuar përqasje anti-europiane, anti-NATO e anti-amerikane, siç janë ato të futjes së rajonit në procese millosheviçiane të shteteve etnike e ndryshimit të kufijve”, theksoi Basha.

Delegacioni i Parlamentit Europian vizitoi Tiranën para vendimit për hapjen ose jo të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!