Basha në Kamëz: Largimi i Çakos pjesë e planit mafioz

schedule11:49 - 9 Janar, 2018

schedule 11:49 - 9 Janar, 2018

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vijoi turin e takimeve me qytetarët, duke I ftuar ata të bëhen pjesë e protestave që pritet të organizojë opozita. Nga Kamza, Basha akuzoi përsëri Qeverinë dhe Kryeministrin Rama se është bërë njësh me krimin. Largimin e Haki Çakos nga drejtimi i Policisë, Basha e quajti pjesë të një plani mafioz që garanton Kryeministrin dhe njerëzit pranë tij.

Kamza ishte stacioni i radhës së kryedemokratit Basha, pjesë e takimeve të nisura prej tij me qytetarët, të cilët i ftoi t’i bashkohen protestave të opozitës, që sipas kësaj të fundit, synojnë të nxjerrin vendin nga udhëkryqi i bashkëqeverisjes së mazhorancës me krimin. Edhe largimin e kreut të Policisë, Haki Çako, kryetari i PD-së e sheh si plotësimin e një pakti mafioz mes ish-kryepolicit dhe Edi Ramës.

“Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qënit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua t’jua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë“.

Basha akuzoi Ramën se po përdor dy standard për qytetarët e pamundur dhe për kriminelët, duke iu referuar në krahasim rastit të Qamoz Zelës, që u vetëvra në burg ku ndodhej për mospagesën e energjisë elektrike, si dhe rastit të një prej të dënuarve të dosjes Xibraka, për të cilin kryedemokrati tha se u lirua me pretendimin e qelia nuk I bënte mirë për shëndetin.

“Ky është shteti i Edi Ramës, plas në burg të pafajshmit dhe zbraz qelitë nga trafikantët e drogës dhe të krimit”.

Kreu i PD-së ftoi qytetarët që të mos ulin kokën por të bëhen pjesë e protestave që –sipas Bashës – do të mundësojnë krijimin e një qeverie që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Të gjitha këto janë të mundshme për Shqipërinë dhe rruga për ta arritur është largimi i qeverisë të bërë njësh me krimin. Ky është modeli i protestës, atje para selisë së të keqes, të gjithë bashkë, numrin më të madh me guximin dhe kurajon që iu karakterizon. Le t’i bashkojmë edhe një herë energjitë tona më të mira me rininë në ballë, në sheshet e protestës.-u shpreh Basha.”

Në kushtet e një loje të barabartë, Basha pohoi se PD me programin e saj del fituese. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!