Basha: Nuk do ketë kompromis për zgjedhjet e lira

schedule22:18 - 13 Nëntor, 2018

schedule 22:18 - 13 Nëntor, 2018

Kryetari i Partisë Demokratike e sheh dekriminalizmin e zgjedhjeve si instrumentin bazë që vendi të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Gjatë një forumi për trashëgiminë e kancelarit të parë gjerman, Konrad Adenauer, Lulzim Basha tha se qeverisja është i kapur nga krimi.

Trashëgimia e kancelarit të parë gjerman, Konrad Adenauer, ishte rasti për të rishikuar sfidat e të djathtës në Europë, por edhe në Shqipëri. Në forumin ku u prezantua në shqip libri “Shënime për Adenauer”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e vlerësoi si kancelarin vizionar që dha kontribut të vyer për gjithë perëndimin. Reflektimi opozitar i Bashës ishte qëndrimi i njohur se zgjedhjet e lira mbeten sfida jetike e demokracisë shqiptare, për të cilat Partia Demokratike nuk do bëjë asnjë kompromis.

“Rruga drejt Europës kalon vetëm përmes demokracisë, garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes ndarjes së politikës nga krimi dhe përmes ndëshkimit dhe jo mbrojtjes të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga një drejtësi e pastër dhe e pavarur. Për fat të keq, pesë vite revanshi antidemokratik dhe autokratik dhe fuzionit të interesave politike dhe kriminale të organizatës së Rilindjes dhe krimit të organizuar në Shqipëri kanë shkaktuar rrënoja në strukturën e brishtë të demokracisë shqiptare”, u shpreh Basha.

Në aktivitetin e organizuar nga fondacioni “Konrad Adenauer”, organizmi i CDU së kancelares Merkel për të promovuar e mbështetur demokracinë liberale e të djathtën, u paraqitën ide e mendime rreth sfidave të vendit, por edhe mbështetjes konkrete për Partinë Demokratike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!