Basha në Shkodër: Mosshpallja e emergjencës, shkelje penale

schedule16:40 - 23 Mars, 2018

schedule 16:40 - 23 Mars, 2018

Lulzim Basha i ka kërkuar nga Shkodra qeverisë shpalljen e gjendjes së emergjencës në këtë qytet. Shkak i përmbytjeve sipas Bashës, nuk janë reshjet, por shkarkimet nga hidrocentralet.

I pranishëm në mbledhjen e Emergjencave Civile të Bashkisë që forca e tij politike drejton, Lulzim Basha, në prani të kryetares Ademi dhe deputetëve dhe strukturave vendore përsëriti apelin për shpalljen e gjendjes së emergjencës.

“Sipas informacioneve që parashtuat, janë mbi 1 mijë familje dhe rreth 800 banesa të rrethuara nga uji.

Kjo përbën për çdo vend dhe çdo qeveri normale një gjendje enmergjence. Këto familje të rrethuara nga uji, janë në kërcënimin e vazhdueshëm të izolimit, mungesës së ujit të pijshëm, mungesës së shërbimit shëndetësor, për të moshuarit, për fëmijët.

Puna e bërë deri tani, mbështetet nga ndihmat, rezervat, resurset e Bashkisë së Shkodrës e cila sikundër në asnjë bashki tjetër nuk është e përgatitur, as nga ana buxhetore, as nga ana infrastrukturore ta përballojë e vetme këtë gjendje emergjence.

Kjo është arsyeja kryesore se përse insistohet prej më shumë se dy javësh në shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Mosshpallja e emergjencës është përgjegjësi ligjore dhe penale dhe çdo pasojë në jetët dhe shëndetin e banorëve të bashkisë së Shkodrës dhe bashkisë së Vaut të Dejës, çdo pasojë negative, është pasojë e mosveprimit, pra është vepër penale dhe kriminale”.

Shkaktari i situatës sipas tij është keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit, ndaj thirrjen organit të akuzës ia bëri drejtpërdrejt.

“Askush nuk mund të më thotë, se kjo që po ndodh këtu, është vepër e Zotit. Ne të gjithë e dimë se kjo është vepër e njeriut. Është përgjegjësi e drejtpërdrejt e KESH. Kaskada e Drinit është përgjegjësja për përmbytjet e Shkodrës.

Dua t’i drejtoj një apel kryeministrit , shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës. T’i japë fund heshtjes fajtore të KESH-it dhe të Ministrit të KESH-it, Damian Gjiknuri, heshtjes bashkëfajtore trë kryeministrit dhe të autoriteteve të tjera, përballë përmbytjeve në Shkodër. Të shpallet menjëherë gjendja e emergjencës”.

Përgjatë dy ditëve të fundit janë shtuar vizitat në terren të ministrave dhe përfaqesuesve të lartë të politikes, duke përforcuar pamjen emergjente të situatës, ende të pashpallur zyrtarisht të tillë./abcnews.al