Basha në Londër vizitë dy ditore

schedule16:46 - 15 Dhjetor, 2017

schedule 16:46 - 15 Dhjetor, 2017

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndodhet në Londër, mori pjesë në konferencën me titull “Sfidat në Ballkanin Perëndimor”. Gjatë vizitës Basha ka zhvilluar takime me diasporën, por edhe me zyrtarë të lartë të qeverisë britanike.

Gjatë qëndrimit në Londër, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pati mundësinë të bashkëpunonte me komunitetin shqiptar atje, me të cilin diskutoi mbi aktualitetin në Shqipëri. Në përgjigje të pyetjeve të marra Basha ka komentuar edhe procedurën përmes së cilës komisioni i ligjeve votoi listën e kandidatëve për Kryeprokuror të përkohshëm.

“Ky është fundi i reformës në drejtësi dhe ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë. Nëse në datë 18 dhjetor Edi Rama zgjedh me votat e tij Kryeprokurorin, ky është fundi i shtetit ligjor, fundi i demokracisë dhe opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar”.

Kreu i opozitës theksoi se rruga për një drejtësi të reformuar është vendosur me dakordësinë e gjithë Parlamentit Shqiptar më 22 korrik 2016 tek ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta.

Me demokratët e Londrës kreu i opozitës diskutoi edhe për demokratizimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike duke përsëritur premtimin se deputetët e ardhshëm do të vijnë sipas procedurës së demokratëve londinezë, me parimin një anëtar një votë.

Lulzim Basha ndodhet ne Londër me ftesë të Partisë Konservatore Britanike të Kryeministres Theresa May dhe mori pjesë ne konferencën mbi “Sfidat në Ballkanin Perëndimor”. Konferenca e ardhshme e rrjetit të partive të qendrës së djathtë të Ballkanit Perëndimor dhe konservatorëve britanikë do të mbahet në Tiranë në Mars 2018./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!