Ka qenë një marshim, protesta e pestë kombëtare e opozitës pasditen e së hënës. Itinerari ka qenë Kryeministria, Drejtoria Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Parlamenti, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës. Në fjalën e mbajtur, Lulzim Basha iu përgjigj indirekt edhe mesazheve të ndërkombëtarëve, kur tha se ai që ushtron dhunë ndaj qytetarëve e institucioneve është vetë Rama. “Ne, -tha Basha, – luftojmë për vlerat e Europës e në Shqipëri nuk do ketë më zgjedhje false.”
Edhe nën shi, demokratët protestuan. Reshjet nuk trembën as kreun e demokratëve Lulzim Basha. Tri orë zgjati protesta marshim e cila u ndal përpara pesë institucioneve të ndryshme.
Nga Kryeministria, Drejtori e Përgjithshme e Policisë, Parlament, Ministri e Brendshme për të përfunduar tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Strategjia dhe ritmi i protestës, e pesta kombëtare, e thirrur vetëm 48 orë pas asaj të 11 majit, u duk se i dha një përgjigje faktorit ndërkombëtar, pjesë dërrmuese e të cilit reagoi me thirrje kundër dhunës përpara protestës. Dhunë ushtrohet çdo ditë në Shqipëri.
“Me dhunë i mori zgjedhjet, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Ne jemi sot se refuzojmë dhunën e qeverisë së ardhur me dhunë dhe do i përgjigjemi me bashkimin tonë. Me fuqinë e bashkimit dhe pjesëmarrjes”.
Çka i bashkon pesë institucionet përpara së cilave marshuan protestuesit, për demokratët është përdorimi i tyre si leva në dorë të pushtetit për të dhunuar popullin, vjedhur zgjedhjet dhe mbajtur pushtetin.
Në fund, kreu i demokratëve drejtoi protestuesit tek ai që tashmë është stacioni i fundit i çdo proteste të opozitës së bashkuar, selinë blu.
“Mirënjohje e veçantë për ata që janë në agjerim, Zoti jua shpërbleftë këtë sakrificë të dyfishtë. Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme, se nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi në pazare me të keqen”.
Të mbushur me frymëzim dhe të vendosur deri në fund, kështu do të vijojë beteja për liri, demorkaci dhe Shqipërinë si gjithë Europa sipas kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. /ABC News Albania 24/7