Basha me biznesin: Ngrihuni, refuzojeni e bojkotojeni TVSH

schedule12:42 - 9 Prill, 2018

schedule 12:42 - 9 Prill, 2018

Një ditë para protestës së paralajmëryar nga opozita, kreu demokrat Lulzim Basha zhvilloi një takim me biznesin e vogël. Basha deklaroi se futja e këtij biznesi në skemën e Taksës mbi Vlerën e Shtuar do të shkaktojë një katastrofë në ekonomi. Sipas tij paratë që do të marrin nga biznesi i vogël do të shkojnë për luksin qeveritar.

Prej orës 11:00 në 12:00 të së martës, bizneset e vogla do të mbyllin qepenat në shenjë proteste. Lajmi dhe ftesa e përsëritur për t’ju bashkuar erdhi nga mbledhja e përfaqësuesve të shoqatave të biznesit të vogël, mbrojtjes së konsumatorit etj.

Të ftuar në takim ishin kryetari i opozitës Lulzim Basha, deputetë të grupit parlamentar dhe këshilltarë bashkiakë të djathtë. Pasi dëgjoi dhe mbajti shënim ankesat e grupeve të interesit, Lulzim Basha përforcoi disa prej tyre.

“97% e vendeve të punës në Shqipëri në ekonominë shqiptare sot janë hapur nga biznesi i vogël. Pse bëhet e gjitha kjo?! Pse çohen 50 mijë biznese drejt falimentimit, qindra mijëra shqiptarë drejt papunësisë për të futur 15 milionë dollarë më shumë në arkën e shtetit kur vetëm Arben Ahmetaj do të marrë nga arka e shtetit 25 milionë dollarë për koncensionin e ineceneratorëve Pse për koncensionet jepen kontrata 30 vjeçare, ndërsa sistemi fiskal ndryshon çdo 3 muaj?! Sepse kjo është një qeveri që mendon vetëm për xhepat e një pakice dhe për këtë flijon ditë për ditë interesat e shumicës. Si qendron e vërteta në Europë?! Franca e ka kufirin e TVSh-së 82 mijë euro, Irlanda 75 mijë euro”.

Zgjidhjen e ka prej një viti dhe formula është e njëjtë.

“Propozimi im është 12 milion lekë kufiri TVSH. 0.5% tatim fitimi me vetëdeklarim tre herë në vit. Pullë fiskale për taksidarët. TVSH 9% taksë e sheshtë”.

Rritja e pragut të biznesit të vogël sjell ulje të informalitetit që sot shënon 40% , theksoi Basha.

Për kreun e shoqatës së biznesit të vogël Albert Nasto, shifrat, duke nisur nga ato të INSTAT-it, janë domethënëse dhe tregojnë të kundërtën e asaj për të cilën vetë e mbështeti Edi Ramën në 2013-ën.

Albert Nasto:Nga 2014-2017 janë mbyllur 82 mijë biznese të vogla. Këto të dhëna janëtë marra nga INSTAT. Të mbyllen 82 mijë biznese, mbi 90% janë biznes i vogël. Me mbylljen e këtyre bizneseve, azilkërkuesit më të mëdhenj që ikën për të kërkuar azil në Gjermani dhe Europë ishin biznese të vogla, ngaqë u mbyllën dhe nuk do të hapen dot më.

 Janë 36 taksa, plus 1 taksë që u vendos sivjet nga qeveria shqiptare, 37 taksa. Këto taksa rëndojnë aq shumë biznesin e vogël dhe të mesëm që është në 99% e biznesit që operon sot në vendin tonë.

Çmimi energjisë, çmimi i karburantit; janë çmimet më të larta jo në Europë, por edhe më tej. Isha në krah të ramës për uljen e çmimit të naftës dhe taksave por ky i rriti. 82 mijë biznese janë mbyllur. Fuqia blerëse ka rënë me 48%, deri në 9 kontrolle në ditë kanë pasur bizneset. Të shpeshta, të majme dhe selektive”.

Formula është e thjeshtë për ekspertin kontabël të kësaj shoqate, vendosja e TVSH për biznesin e vogël do rrisë koston për biznesin, çmimet për konsumatorin, duke ulur konsumin bashkë me të ardhurat e biznesit, që neser të detyrohet të bëj shkurtime në staf, duke shtuar kështu edhe papunësinë. Protesta ishte lejtmotiv i thirrjeve të përfaqësuesve të shoqatave kundër taksimit dhe rritjes së taksave në vend./abcnews.al