Basha mbledh strukturat e PD-së: Asnjë hap pas

schedule12:05 - 4 Korrik, 2019

schedule 12:05 - 4 Korrik, 2019

Lulzim Basha ka mbledhur strukturat më të larta të PD-së për vijimin e aksionit opozitar pas 30 qershorit. “Asnjë hap pas!”, ka qenë porosia për demokratët.

Asnjë hap pas është motoja që e udhëheq Lulzim Bashën në vendimet e tij. Zgjedhjet e 30 Qershorit mbaruan duke vërtetuar se Kryeministri Edi Rama edhe kur i bën i vetëm kandidimet, votimet dhe numërimin edhe kur nuk ka kundërshtar për të vjedhur, vjedh dhe manipulon. Konstatimet i bëri të ditura në mbledhjen e përbashkët që zhvilloi me kryesinë e Partisë Demokratike dhe ish-grupit parlamentar.

“Këtë e dëshmojnë qindra denoncime nga media dhe mijëra të tjera nga qytetarët si dhe gjetjet nga raporti paraprak i ODIHR, më i keqi që nga ‘97. Rama e bëri për të rritur pjesëmarrjen fiktive. ODIHR vuri vulën për rolin kriminal të KQZ-së në këtë operacion të paparë manipulimi. Me Edi Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira”.

Duke risjellë në vëmendje konstatimet paraprake të OSBE/ODIHR Lulzim Basha nënvizoi se tashmë edhe për ndërkombëtarët zgjedhjet vendore janë nul.

“Konstatimet paraprake të ODIHR nxjerrin mes shumë problemeve 2 çështje kryesore:  a) dekreti i presidentit është në fuqi, farsa e 30 Qershorit është nul sepse është kundër parimit themelor të sundimit të ligjit b) regjistrimi i patericës së krijuar nga Edi Rama për të kijjuar iluzionin e garës u bë në shkelje të ligjit. Votimi i 30 Qershorit është nul”.

Sipas kreut të opozitës Partia Demokratike nuk ndjehet e vetme, asaj iu bashkua shumica absolute e shqiptareve në refuzimin e regjimit të Edi Ramës. Kjo e bën opozitën të mos ndryshojë asnjë qëndrim, por të vazhdojë të kërkojë largimin e kryeministrit, ndëshkim të politikanëve që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe të gjithë atyre që organizuan dhe zbatuan farsën e 30 Qershorit, qeveri tranzitore, zgjedhje te lira e te ndershme, parlamentare dhe lokale.

“Edi Rama me kukuvajkat dhe mercenarët e tij dështuan në planin tashmë të zbardhur për ta përçarë PD dhe opozitën. PD dhe opozita dolën më të fortë dhe më të bashkuar nga 30 Qershori. Ata nuk meritojnë asnjë vëmendje apo harxhim kohe. Injorojini, përbuzini, e gjithë energjia në aksionin politik kundër padronit dhe financuesit të tyre Edi Ramës!”

Të hënën opozita e bashkuar ka njoftuar protestën kombëtare të radhës si sinjal se rezistenca për të realizuar kërkesat e përsëritura, vazhdon./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!