Basha: Ky sistem ka marrë fund

schedule14:11 - 15 Mars, 2019

schedule 14:11 - 15 Mars, 2019

Takimin e fundit përpara protestës kombëtare të 16 Marsit të thirrur nga opozita e bashkuar, kryedemokrati Basha e zhvilloi me ata të cilët sipas tij i paraprinë këtij bashkimi, studentët; në qytetin tashmë simbol të akuzave të opozitës për manipulim të votave: qytetin e Durrësit.

“Nuk është thjesht shitblerje votash, Edi Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur votat me krimin e organizuar, duke mbushur kutitë me krimin e organizuar dhe duke kërcënuar e shantazhuar qytetarët me krimin e organizuar. Vangjush Dako e ka vendin në burg, jo se them unë, por se ajo dosje që i ka kushtuar karrigen edhe Fatmir Xhafës e kushedi se sa të tjerëve, është prova ligjore sesi ky njeri është zbuluar para syve të shqiptarëve dhe gjithë botës nga përgjimet zyrtare të prokurorisë shqiptare, si njeriu që i vuri kazmën votës së Durrsakëve”.

Për Lulzim Bashën, prova që vërteton se çdo gur në këtë vend lëviz përmes dorës së kreut të qeverisë, sot janë edhe një pjesë e listës së kandidatëve të tij për deputet.

“Shikoni si e trajton parlamentin, si banjo publike. Shikoni si i trajton deputetët si bagëti që shiten dhe blihen si në Pazar të Milotit. A ka shenjë më të qartë të degradimit të një pushteti, se sa shitblerja e të ashtuquajturve deputetë të opozitës së re sikur të ishin bagëti”?!

Një mesazh ja dërgoi edhe deputetëve që fituan nën siglën e tij, por qëndruan nën arsyetimin e interesit më të mirë të shqiptarëve.

“Kushdo të gjejë sebep dhe arsye për t’u rreshtuar në krah të këtij gjysmagjeli parlament, në fakt, renditet kundër interesit të qytetarëve, kundër interesave të Shqipërisë, kundër interesave të rinisë, renditet në krah të krimit të organizuar dhe në krah të hajdutërisë”.

Që kjo të marrë fund, Basha kërkoi ndihmën e studentëve.

“Në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës, unë kërkoj sot ndihmën tuaj, të rinisë shqiptare, studentëve shqiptarë, që, përmes një dialogu dhe një konsulte kombëtare, të bëjmë një pakt kombëtar, jo vetëm për largimin e Edi Ramës, por për shembjen me themel të këtij regjimi dhe bandave të këtij regjimi, në mënyrë që, ashtu si në të gjithë Europën, zëri juaj të dëgjohet pa qënë nevoja të ngriheni në protestë për gjithçka.

Miqtë e mi askush nuk e ka thënë më bukur se ju: Nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur. Pengesa e vetme është qeveria e ardhur me krimin dhe që punon për krimin, e dalë nga krimi për interesat e krimit dhe të oligarkëve. Kjo është thirrja për 16 marsin. Kjo është thirrja për betejën që vazhdon e do të vazhdojë deri në fitoren e kauzës tonë, deri në fitoren e demokracisë, lirisë dhe Shqipërisë si gjithë Europa”!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!