Kryetari i PD Lulzim Basha bëri një përmbledhje të shkurtër të realitetit me krimin dhe korrupsionin në vend. Referuar ngjarjeve të fundit, Basha theksoi se cikli i krimit po thellohet, nga marijuana tek kokaina.
Lajmin e ndërrimit të jetës së shokut të pronarit të pikës së këmbimit që u grabit, i cili tentoi të ndalonte grabitësit teksa dilnin dhe u qëllua me plumb në kokë, Lulzim Basha e përdor si kornizë të kriminalitetit që zgjeron ciklin e tij.
“Dua t’i shpreh sot ngushëllimet e mia familjes dhe njerëzve të tij. Sot në Shqipëri jeta dhe prona janë nën kërcënimin e përditshëm të krimit dhe të drogës”.
Katër grabitje me armë në 24 orë janë pasqyrim i një realiteti të paralajmëruar nga vetë ai, tha Basha.
“Nga marijuana është kaluar në heroinë dhe kokainë. Nga grupe të vogla vendase të krimit është kaluar në organizata ndërkombëtare të drejtuara nga krimi shqiptar”.
Është ky cikël ai që sjell infiltrimin gjithmonë e më thellë në shoqëri të kriminalitetit të prodhuar nga këto veprimtari të jashtëligjshme.
“Në vend të investimeve të huaja, kemi kokainën e huaj. Në vend të eksporteve artizanale, kemi eskportin e krimit”.
E vetmja konstante e kësaj qeverie është propaganda, thotë Lulzim Basha përmes së cilës Edi Rama po mundohet t’i bindë shqiptarët se është i përkushtuar të luftojë krimin, jot a mbrojë atë.
“Është e njëjta skemë që përdori për të bindur shqiptarët dhe gjithë botën se në Shqipëri nuk kishte drogë, se Policia ishte institucioni më i besuar dhe më i mirë i qeverisë dhe se Saimir Tahiri ishte ministri më shembullor që Shqipëria kishte patur ndonjëherë”.
Sa kohë Edi Rama do jetë në pushtet do të kapen vetëm shoferë dhe punëtorë krahu, por jo kokat e krimit. Përsa kohë Edi Rama është në pushtet, shqiptarët do të kërkojnë, por nuk do të gjejnë as siguri, as mirëqënie, as zhvillim ekonomik. /abcnews.al