Basha flet për rithemelim të PD-së pas “pastrimit” nga Berisha: Na futi në përplasje me SHBA-të, sot rikonfirmohet proamerikanizmi

schedule13:20 - 18 Dhjetor, 2021

schedule 13:20 - 18 Dhjetor, 2021

Kryedemokrati Lulzim Basha e cilësoi mbledhjen e sotme si një Kuvend për një rithemelim të dytë të Partisë Demokratike, pas tre dekadash me probleme, paqartësi dhe tensionesh të kësaj partie nën drejtimin e Berishes, me aleatin më të madh të shqiptarëve dhe demokratëve, SHBA-të.

https://www.youtube.com/watch?v=EA2fZH2ziAE&ab_channel=ABCNewsAlbania

Basha tha se PD nuk mund të mbetet peng i interesave personale të drejtuesit të saj duke goditur në mënyrë të drejtpërdrejt Sali Berishën, ndërsa theksoi se në shtator të vitit të shkuar iu desh të zgjidhte mes partisë, që lindi si një shpresë e shqiptarëve dhe të shkuarës së saj. Basha tha se zgjodhi PD-në dhe jo interesat personale të Berishës, të cilat sipas tij binin në kundërshtim me aleatin Perëndimor SHBA-të.

Personit që mes nesh i kishim vendosur mbi supe më shumë spaleta, atij që i kishim shtruar për gati tre dekada rrugën me lavdërime, i ishte varur mbi karrierën e gjatë politike, cilesimi non – grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Pezmi ishte i madh. Pse ne dhe pse tani? Ishin pyetjet që mbizotëronin mes nesh. Është e vështirë të shpjegohen me fjalë, aq më tepër një trupe politike që ka emocionet e saja në lidhje me këtë cështje, përgjegjësitë që lindin në raste të tilla.

Jo për shkak të vështirësisë të vendimmarrjes, por për shkak të pasojave që ato prodhojnë te njerëzit. Në rastin tonë, mencuria për të njohur diferencën midis gjërave që duhet të pranojmë dhe atyre që mund të ndryshojmë, ishte fare e qartë. Përballë historisë tonë, të partisë që ribashkoi Shqipërinë me Perëndimin, që ka shënuar arritjet më të mëdha në raport me aspiratat tona kombëtare, në procese ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë jetike, në një marrëdhënie vlerash të sanksionuar në kushtetutën e partisë tonë, shtegu, ndonëse i vetëm dhe i ngushtë, ishte i qartë.

Duhej mbrojtur Partia Demokratike, investimi i demokratëve dhe i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë! Dhe atë ditë ku mora atë vendim, nisi një marshim i ngadaltë dhe i pashmangshëm drejt kuvendit ku jemi mbledhur sot.

Midis 9 shtatorit dhe 18 dhjetorit rreth partisë sonë kanë ndodhur ngjarje, akte dhe procese të pashembullta, të pa ngjara me parë, që i japin këtij kuvendi statusin e një date të dytë historike pas themelimit të Partisë Demokratike si partia e shpresës së shqiptarëve, si partia Euro-Atlantike, si partia e rilidhjes së Shqipërisë me perëndimin pas 45 vitesh të perdes së hekurt të komunizmit barbar shqiptar.

Kjo datë e dytë, po aq e rëndësishme, ky akt i dytë, ky kuvend, është dhe duhet të jetë kuvend i afirmimit të proamerikanizmit dhe pro euro-atlantizmit pas një periudhe keqkuptimesh, konfliktesh, paqartësish, kundërveniesh apo problemesh me aleatin tonë strategjik, të cilat kulmuan me pezullimin nga grupi parlamentar i ish-Kryetarit të PD-së, Sali Berisha“, tha Basha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!